

GJKKO kërkon nga SPAK qartësim me shkrim të akuzës ndaj Ilir Beqajt në çështjen “Sterilizimi”
Gjatë seancës gjyqësore për procesin e njohur si çështja “Sterilizimi”, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vlerësuar se qartësia e akuzës është një komponent thelbësor për garantimin e së drejtës së mbrojtjes.
Në këtë kuadër, GJKKO ka kërkuar që Prokuroria e Posaçme (SPAK) të përgatisë me shkrim akuzën ndaj Ilir Beqajt dhe t’ia komunikojë atë zyrtarisht të pandehurit.
Gjykata gjithashtu i ka kërkuar SPAK-ut të argumentojë arsyet e ndryshimit të akuzës, e cila nga “shpërdorim detyre i kryer në bashkëpunim” është rikualifikuar në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
Sipas vendimit të gjykatës, këto sqarime duhet t’i vihen në dispozicion të pandehurit dhe mbrojtësve të tij ligjorë, në mënyrë që të garantohet një proces i rregullt dhe e drejta për mbrojtje efektive.
Procesi gjyqësor vijon me shqyrtimin e çështjes dhe qëndrimet e palëve.
Beqaj: Nuk jam njohur me akuzën e ndryshuar; mbrojtja kërkon vënien në dispozicion të aktakuzës së korrigjuar
Në vijim të seancës për çështjen “Sterilizimi”, Ilir Beqaj deklaroi para trupit gjykues se nuk është njohur me akuzën e ndryshuar, as me shkrim dhe as me gojë.
“Unë nuk jam njohur me akuzën e ndryshuar as me shkrim, as me gojë. Gjatë seancave të para kuptova që procesverbali është audioja e seancës. Kërkoj që ky audioregjistrim të dëgjohet në sallë. Aty asnjë nga prokurorët nuk e ka shqiptuar me gojë akuzën e ndryshuar,” u shpreh Beqaj.
Ai tha se Kushtetuta dhe konventat ndërkombëtare i garantojnë të drejtën për t’u njohur hollësisht me akuzën që i është ngritur.
“Kodi nuk e përcakton që akuza bëhet me shkrim, por nuk përcakton as që bëhet me gojë. Nëse njoftimi i akuzës bëhet me shkrim, si mund të ndryshohet me gojë?” shtoi ai.
Nga ana tjetër, avokati i Beqajt deklaroi se mbrojtjes ende nuk i është vënë në dispozicion aktakuza e korrigjuar nga SPAK, pavarësisht kërkesës së mëparshme të GJKKO për saktësim dhe korrigjim.
“Sot e kësaj dite, ne nuk kemi në dorë akuzën e korrigjuar nga SPAK. Në një seancë tjetër, prokurorët thanë se akuza e saktësuar është procesverbali i seancës ku gjykata kërkoi saktësim. Por në këtë gjykim kemi mësuar se procesverbali është audioja e seancës. Ne e kemi dëgjuar atë audio dhe aty nuk i është lexuar asnjë akuzë z. Beqaj,” tha ai.
Sipas mbrojtjes, kjo situatë pengon ushtrimin e një mbrojtjeje efektive.
“Kjo na pengon të bëjmë kërkime paraprake dhe të përgatisim mbrojtjen. I kërkojmë gjykatës të na vërë në dispozicion akuzën e korrigjuar dhe të saktësuar,” u shpreh avokati.
Ai shtoi se nëse gjykata vlerëson se akuza është njoftuar me gojë, atëherë do të kërkojë pavlefshmëri absolute të aktit, ndërsa në rast të rrëzimit të kësaj kërkese, do të paraqesë kërkesë për kontroll incidental.
“Unë nuk mund të bëj mbrojtje efektive pa ditur qartë akuzën,” përfundoi ai.
Seanca vijon me shqyrtimin e kërkesave të palëve dhe vendimmarrjen e trupit gjykues.
Foto: NOA/LSA
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






