

Pas publikimit të disa lajmeve në media, sipas të cilave Irani mund të ketë në objektivat e tij të goditjes me raketa kampin Ashraf 3 në Manzë, ka reaguar zëdhënësi i kampit, Shahriar Kia.
Në një deklaratë për mediat, ai i cilësoi këto raportime si propagandë të orkestruar nga regjimi iranian dhe mohoi mundësinë e një sulmi ndaj Shqipërisë.
“Lajmet e publikuara nga Irani për mundësinë e një sulmi me raketa ndaj Ashraf 3 dhe mbulimi i tyre në disa media shqiptare janë thjesht propagandë e orkestruar nga regjimi iranian. Kjo po bëhet për qëllime lufte psikologjike, me qëllim krijimin e shqetësimit dhe kaosit në Shqipëri, për të ndjekur objektivat e veta,” deklaroi ai.
Sipas Kias, pretendimet nuk bazohen në fakte konkrete dhe janë pjesë e një fushate të koordinuar për të rritur ndikimin mediatik.
“Është e qartë dhe e pamohueshme se raketat e regjimit iranian nuk kanë kapacitetin teknik për të arritur në Shqipëri,” theksoi ai.
Reagimi vjen në një kohë kur çështje të sigurisë dhe zhvillimet gjeopolitike në rajon po ndiqen me vëmendje, ndërsa autoritetet shqiptare nuk kanë raportuar për ndonjë kërcënim konkret ndaj territorit të vendit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






