Transmetuar më 03-03-2026, 14:35

Tiranë, 3 mars 2026 – Ambasadori i Bashkimi Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, theksoi se dialogu politik dhe reforma zgjedhore, veçanërisht transparenca në financimin e partive politike, përbëjnë parakushte kyçe për integrimin europian të Shqipërisë.

Gjatë një tryeze të organizuar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, me mbështetjen e Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, u diskutua projektligji për financimin e partive politike dhe standardet që kërkohen në kuadër të procesit të anëtarësimit.

Ambasadori Gonzato bëri të qartë se fryma e dialogut për çështje thelbësore, si reforma zgjedhore, është vendimtare. “Financimi është parakusht për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Reforma zgjedhore, sidomos sa i përket financimit të partive në fushata, mbetet përparësi në kuadër të kornizës së BE-së dhe lidhet ngushtë me themeloret,” deklaroi ai.

Sipas tij, përkufizime të qarta për burimet shtetërore, përfshirë kontributet në natyrë, si dhe transparenca mbi entet që lidhen apo varen ekonomikisht nga vendimet shtetërore, janë të domosdoshme për të garantuar një konkurrencë të ndershme politike.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, e cilësoi këtë një moment vendimtar për vendin. Ai renditi katër parime themelore mbi të cilat duhet të mbështetet reforma, duke theksuar nevojën për rregulla të qarta, zbatim efektiv dhe mbikëqyrje të pavarur.

Në tryezë mori pjesë edhe kreu i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili ngriti shqetësimin për mungesë transparence nga ana e partive politike dhe rekomandoi forcimin e mekanizmave të auditimit.

Bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore theksuan angazhimin për hartimin e një ligji të ri, në përputhje me standardet europiane. Përfaqësues të partive politike dhe ekspertë të proceseve zgjedhore paraqitën propozime konkrete, duke diskutuar çështjet kyçe të projektligjit dhe zbatimin e tij praktik.

Reforma e financimit të partive politike konsiderohet një nga elementet themelore në kuadër të procesit të integrimit europian të Shqipërisë, ndërsa institucionet ndërkombëtare vijojnë të nxisin konsensusin dhe dialogun politik si rrugë përpara.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit