Transmetuar më 03-03-2026, 13:47

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar konfiskimin e mbi 2 milionë euro pasuri në posedim të Jusel Micit dhe Mendim Domit, të akuzuar për veprat penale “mashtrim kompjuterik”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “pastrim parash” dhe “fshehje të ardhurash”.

Domi dhe Mici u shkaktuan qytetarëve evropianë një dëm prej 15 milionë eurosh përmes skemave të mashtrimit me call center-a. Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) i dënoi fillimisht me tre vite burgim, por Apeli i Posaçëm rrëzoi vendimin dhe riktheu çështjen për gjykim.

Njoftimi i SPAK

Në vijim të njoftimit të datës 7 mars 2025, SPAK ka dërguar kërkesën për konfiskimin e pasurive të sekuestruara me vendimin nr. 1, datë 7 shkurt 2025, të Gjykatës së Posaçme, në kuadër të procedimit pasuror nr. 8, viti 2024, ndaj shtetasve J.M. dhe M.D.

Të dy shtetasit janë subjekt i hetimit pasuror sipas Ligjit nr. 10192, datë 3.12.2009, dhe po gjykohen nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal nr. 166 të vitit 2021.

Bazuar në dispozitat e Ligjit nr. 10192/2009, të ndryshuar me ligjin nr. 70/2017, janë identifikuar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të personave nën hetim dhe personave të lidhur me ta. Hetimet kanë treguar se këto pasuri janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe prezumohen të jenë rezultat i veprimtarisë kriminale.

Pasuritë për të cilat kërkohet konfiskimi

Apartamente dhe njësi banimi në Tiranë;

Njësi shërbimi në zonën e Bulevardit të Ri;

Vila në Gjirin e Lalzit dhe në komplekse turistike rezidenciale;

Tokë (arë) në zonat Mazrek, Kashar dhe Sauk;

Garazhe në Njësinë Administrative nr. 9, Tiranë;

Automjete të markave BMW dhe Audi;

Kuota pjesëmarrjeje në shoqërinë tregtare “SUPER FOODS” sh.p.k.;

Llogari bankare në Union Bank me balanca në euro dhe lekë.

Totali i vlerës së pasurive për të cilat kërkohet konfiskimi për J.M., M.D. dhe personat e lidhur me ta arrin 1,976,870 euro dhe 9,330,062 lekë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit