

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Më 6 shkurt, për shkak të mungesës së kuorumit të duhur (ndarë katër me katër), u vendos rrëzimi i kërkesës së kryeministrit për rivendosjen e saj.
Kushtetuesja ka dhënë argumentet ligjore për konfliktin e kompetencave midis qeverisë dhe pushtetit gjyqësor mbi imunitetin e ministrit, duke ndarë trupin e vendimit në dy qëndrime.
Pjesë nga vendimi i Kushtetueses
Kërkuesi ka pretenduar se mes tij dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) së Shkallës së Parë, nga ana tjetër, ka lindur një mosmarrëveshje kompetence. Sipas pikës 1, shkronja “ç” e nenit 131 të Kushtetutës, pezullimi i zëvendëskryeministres cenon veprimtarinë e Këshillit të Ministrave dhe ndërhyn në kompetencat kushtetuese të Kryeministrit, duke sjellë një shkarkim de facto të ministres.
Gjithashtu, është theksuar se GJKKO-ja e Shkallës së Parë nuk ka juridiksion për çështjet që lidhen me mandatin e ministrit, deputetit ose të funksionarëve të tjerë të lartë kushtetues, pasi ata nuk janë organe administrative të zakonshme, por organe kushtetuese. Mandati i tyre përbën çështje të së drejtës kushtetuese, dhe një pezullim i mundshëm do të duhej të ishte parashikuar shprehimisht në Kushtetutë dhe të caktohej organi kompetent për të vendosur këtë pezullim.
Për shkak të mungesës së një parashikimi të tillë për ministrin, Kushtetuesja vendosi se pezullimi i detyrës nuk mund të kryhet. Ky vendim lidhet me interpretimin e nenit 103, pika 3, të Kushtetutës, e cila parashikon se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






