

MPJ paralajmëron qytetarët: Shmangni udhëtimet drejt Lindjes së Mesme, situata mbetet e paqëndrueshme
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka publikuar një njoftim të përditësuar lidhur me situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme, duke theksuar se përshkallëzimi ushtarak në rajon e ka bërë situatën të paqëndrueshme dhe të paparashikueshme.
Në reagimin zyrtar, ministria këshillon fuqimisht shtetasit shqiptarë të shmangin çdo udhëtim drejt vendeve të rajonit deri në një njoftim të dytë.
Ndërkohë, qytetarët shqiptarë që ndodhen aktualisht në zonat e prekura këshillohen të tregojnë vigjilencë maksimale dhe të shqyrtojnë me përparësi mundësinë e largimit përmes linjave ajrore, për aq kohë sa ato vijojnë të jenë funksionale.
Ministria u bën thirrje qytetarëve të ndjekin zhvillimet përmes burimeve mediatike të besueshme dhe kanaleve zyrtare të informacionit, të respektojnë udhëzimet e autoriteteve lokale, si dhe të mbajnë dokumentet e udhëtimit dhe mjetet e komunikimit gjithmonë të gatshme.
Në rast nevoje, shtetasit shqiptarë duhet të kontaktojnë përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Republikës së Shqipërisë në rajon dhe të veprojnë sipas udhëzimeve të tyre.
Ministria paralajmëron se, nëse situata e sigurisë përkeqësohet më tej, mbyllja e hapësirës ajrore në një perimetër më të gjerë mbetet një mundësi reale dhe fluturimet mund të anulohen pa paralajmërim. Për çdo çështje që lidhet me udhëtimet ajrore, qytetarët këshillohen të kontaktojnë drejtpërdrejt kompanitë përkatëse.
MPJ thotë se janë në monitorim të vazhdueshëm të zhvillimeve dhe do të informojnë në kohë reale për çdo ndryshim të situatës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






