

Pas shkarkimit të ish-drejtorit Proda, Ministria e Brendshme e Shqipërisë ka shpallur zyrtarisht thirrjen për aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policia e Shtetit.
Sipas njoftimit, kandidatët duhet të plotësojnë një sërë kriteresh ligjore dhe profesionale, ndërsa afati për dorëzimin e aplikimeve është deri më 11 mars 2026.
Kriteret kryesore
Aplikanti duhet:
të mbajë njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues;
të ketë shtetësi shqiptare;
të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale;
të mos ketë marrë masa të rënda disiplinore gjatë 5 viteve të fundit, sipas ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”;
të jetë në kushte të përshtatshme shëndetësore;
të mos ketë konflikt interesi në ushtrimin e detyrës.
Dokumentacioni i kërkuar
Kandidati duhet të paraqesë:
kërkesë me shkrim drejtuar Ministrit të Brendshëm;
jetëshkrim të përditësuar;
platformë personale me objektiva dhe qëllime (deri në 20 faqe);
dëshmi të gjendjes gjyqësore;
dokumente që vërtetojnë përvojën profesionale;
rezultate të vlerësimeve profesionale dhe etike;
dokumente për studimet dhe trajnimet;
vërtetim besueshmërie;
raport mjekësor për aftësinë në punë;
vetëdeklarime sipas legjislacionit në fuqi.
Procedura e përzgjedhjes
Pas përfundimit të afatit 7-ditor për paraqitjen e shprehjeve të interesit, Ministria publikon në faqen zyrtare emrat e kandidatëve.
Brenda 10 ditëve pune nga mbyllja e aplikimeve, Komisioni i Posaçëm kryen vlerësimin paraprak për verifikimin e kushteve ligjore. Kandidatët që i plotësojnë kriteret do të ftohen në seancë dëgjimore, përpara se t’i paraqitet Ministrit renditja përfundimtare me vlerësimet përkatëse.
Afati dhe mënyra e aplikimit
Dokumentacioni duhet të dorëzohet:
në adresën postare të Ministrisë së Brendshme, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 1, Tiranë;
ose në adresën elektronike zyrtare të publikuar nga institucioni.
Afati i fundit për aplikim: 11 mars 2026.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






