Transmetuar më 03-03-2026, 09:03

Konfindustria kërkon masa urgjente për tregun e karburanteve pas tensioneve në Gjirin Persik

Konfindustria i ka bërë thirrje qeverisë të ndërmarrë masa të menjëhershme ligjore për të mbrojtur ekonominë nga pasojat e paparashikuara të luftës në Gjirin Persik, me fokus të veçantë tregun e karburanteve.

Në një njoftim për shtyp, organizata thekson se ekzekutivi duhet të kontrollojë zbatimin e ligjit nga kompanitë e karburanteve për sigurimin e rezervës strategjike 3-mujore, si një garanci për stabilitetin e furnizimit në rast përshkallëzimi të krizës.

Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustrisë kërkon forcimin e mbikëqyrjes rregullatore në drejtim të konkurrencës në treg, për të shmangur rrezikun e spekulimeve me çmimet, një situatë e ngjashme me atë që u regjistrua gjatë krizës së luftës në Ukrainë në vitet 2021–2022.

Një tjetër kërkesë lidhet me përgatitjen e një pakete ligjore që do të mundësonte uljen e barrës fiskale në rast të rritjes së fortë të çmimeve të karburanteve në tregjet ndërkombëtare, me qëllim zbutjen e ndikimit te konsumatorët dhe bizneset.

Sipas Konfindustrisë, çmimi i naftës ka dhënë tashmë sinjale të menjëhershme rritjeje në bursë, duke e bërë të pashmangshme reflektimin e kësaj tendence edhe në tregun vendas. Organizata nënvizon se kohëzgjatja e konfliktit mbetet e paqartë, çka shton pasigurinë ekonomike.

Kërkesat:

Së pari, duhet kontrolluar zbatimi i ligjit në kompanitë e karburanteve për sigurimin e rezervës strategjike 3 mujore.

Së dyti, duhen marrë masat ligjore në drejtimin rregullator të konkurencës në treg për të shmangur rrezikun e rikthimit të spekullimeve të çmimit të karburanteve si në rastin e krizës së luftës në Ukrainë në vitet 2021-22.

Së treti, kërkojmë, që qeveria të përgatisi një paketë ligjore me synim uljen e barrës fiskale në rast të rritjes së fortë të çmimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit