Transmetuar më 03-03-2026, 08:50

Departamenti i Shtetit u bëri thirrje amerikanëve të largohen nga 15 vendet e mëposhtme: Bahreini, Kuvajti, Egjipti, Libani, Irani, Omani, Iraku, Katari, Izraeli, Bregu Perëndimor dhe Gaza, Arabia Saudite, Siria, Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jemeni

Shtetet e Bashkuara u kërkuan të hënën qytetarëve amerikanë të largohen urgjentisht nga pothuajse të gjitha vendet e Lindjes së Mesme, nga Egjipti e më tej drejt lindjes, përfshirë Izraelin, raporton noa.al duke cituar Times of Israel.

Paralajmërimi erdhi ndërsa Sekretari i Shtetit Marco Rubio premtoi goditje “edhe më të ashpra” ndaj Iranit, pas sulmeve hakmarrëse të Teheranit kundër aseteve amerikane në rajon.

Departamenti Amerikan i Shtetit “u bën thirrje amerikanëve të LARGOHEN TANI nga vendet e listuara më poshtë duke përdorur transportin komercial të disponueshëm, për shkak të rreziqeve serioze për sigurinë”, shkroi në platformën X ndihmëssekretarja për çështjet konsullore, Mora Namdar.

Në listë përfshihen: Izraeli, Bregu Perëndimor dhe Gaza, Libani, Siria, Iraku, Jordania, Arabia Saudite, Jemeni, Omani, Bahreini, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Katari dhe Irani.

Gjithashtu u përfshi edhe Egjipti, vendi më i populluar i rajonit, ndonëse nuk është goditur nga sulmet hakmarrëse të Iranit.

Amerikanët në Lindjen e Mesme mund të kontaktojnë 24 orë në ditë Departamentin e Shtetit në numrin +1-202-501-4444 dhe u kërkohet të regjistrohen në programin STEP (Smart Traveler Enrollment Program) për të marrë përditësime zyrtare.

Nuk ka fluturime evakuimi nga SHBA

SHBA nuk ka organizuar fluturime evakuimi. Fluturimet komerciale në rajon janë ndërprerë, pasi Izraeli, Katari, Siria, Irani, Iraku, Kuvajti dhe Bahreini kanë mbyllur hapësirat ajrore. Izraeli pritet të mos e rihapë hapësirën ajrore para javës së ardhshme, ndërsa Aeroporti Ben Gurion mbetet i mbyllur.

“Siguria e qytetarëve amerikanë është prioriteti ynë kryesor”, tha Rubio në një reagim tjetër në rrjetet sociale, duke u kërkuar amerikanëve të ndjekin përditësimet zyrtare.

Goditje më të forta ndaj Iranit

Rubio deklaroi gjithashtu se “goditjet më të forta nga ushtria amerikane janë ende përpara”.

“Faza e ardhshme do të jetë edhe më ndëshkuese për Iranin se sa është tani,” tha ai.

Sipas CNN, një zyrtar i lartë amerikan ka deklaruar se SHBA po përgatitet për një rritje të madhe të sulmeve ndaj Iranit në 24 orët e ardhshme. Uashingtoni vlerëson se deri tani janë dëmtuar ndjeshëm sistemet mbrojtëse iraniane, ndërsa faza tjetër do të synojë prodhimin e raketave, dronët dhe kapacitetet detare të Iranit.

Presidenti Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kanë deklaruar se qëllimi i sulmeve është krijimi i kushteve që populli iranian të përmbysë regjimin.

Viktima mes ushtarëve amerikanë

Irani ka reaguar me sulme me raketa balistike dhe dronë ndaj Izraelit dhe vendeve arabe që strehojnë baza ushtarake amerikane.

Herët të martën, ambasada amerikane në Riad u godit nga dy dronë, duke shkaktuar një zjarr të kufizuar dhe dëme materiale, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Arabisë Saudite.

Media amerikane raportoi se Trump ka paralajmëruar se Irani do ta mësojë shumë shpejt përgjigjen e Uashingtonit për sulmin ndaj ambasadës në Riad dhe për vdekjen e personelit ushtarak amerikan.

Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) njoftoi se gjashtë ushtarë amerikanë janë vrarë dhe 18 të tjerë janë plagosur rëndë që nga fillimi i përplasjes me Iranin të shtunën. Të gjashtë viktimat u raportuan në Kuvajt dhe, sipas një zyrtari amerikan, ishin ushtarë të ushtrisë nga e njëjta njësi logjistike.

Dy viktimat e fundit u gjetën pasi forcat amerikane rikuperuan trupat e dy ushtarëve të zhdukur në një objekt që ishte goditur gjatë sulmeve fillestare iraniane.

Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth deklaroi se një armë iraniane arriti të depërtojë mbrojtjen ajrore të aleatëve dhe goditi një qendër operative të fortifikuar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit