Transmetuar më 03-03-2026, 07:43

Pas ndryshimeve në qeveri, Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot, në orën 09:00, Kryesinë e Partia Socialiste e Shqipërisë.

Në fokus të mbledhjes do të jetë caktimi i datës së Asamblesë së PS-së. Ky takim i socialistëve vjen pak ditë pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së, ku u kryen ndryshime të mëdha në qeveri, si edhe shkarkimi nga detyra i Belinda Ballukut, e cila mbante postin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ajo është vënë zyrtarisht nën akuzë nga SPAK për abuzime me tendera, ndërsa është kërkuar edhe arrestimi i saj.

Gjatë ditës së djeshme, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti në takim Kryeministrin Rama. Takimi u zhvillua në Pallati i Brigadave, ku kreu i qeverisë paraqiti propozimet për ndryshimet në kabinetin qeveritar dhe dorëzoi për dekretim shkarkimet dhe emërimet e reja. Takimi zgjati rreth 40 minuta.

Procedura kushtetuese parashikon një afat prej 7 ditësh për dekretimin e shkarkimeve dhe emërimeve të reja, të cilat më pas kalojnë për votim në Parlament. Për miratimin e tyre nevojiten 71 vota. Pas votëbesimit në Kuvend, ministrat e rinj betohen para Presidentit për të marrë detyrën.

Shkarkimet dhe emërimet u njoftuan në mbledhjen e përbashkët të Grupit Parlamentar të PS-së me kabinetin qeveritar, të mbajtur më 26 shkurt. Rama vendosi të zëvendësojë Belinda Ballukun me Albana Koçiun në postin e zëvendëskryeministres, ndërsa ajo do të lërë drejtimin e Ministrisë së Brendshme.

Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë pritet ta drejtojë Enea Karakaçi, i cili deri më tani ka mbajtur postin e Drejtorit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Ndërkohë, Elisa Spiropali do të zëvendësohet në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme nga diplomati i karrierës Ferit Hoxha, i cili ka shërbyer më herët si ambasador në OKB dhe në BE.

Toni Gogu do të drejtojë Ministrinë e Drejtësisë, në vend të Besfort Lamallarit, i cili rikthehet në Ministrinë e Brendshme si drejtues i saj.

Deputetja e qarkut të Vlorës, Erjona Ismaili, do të drejtojë Ministrinë për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, zëvendësohet nga Ermal Nufi, i cili aktualisht mban detyrën e zëvendëssekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit