

Në minierën e Trepça, punëtorët e galerisë së 11-të kanë nxjerrë një kristal të madh dhe të rrallë, pjesë e masivit që përmban pirit dhe galenit.
Shefi i shërbimit gjeologjik, Xhemajl Tupella,ka theksuar përkushtimin e punëtorëve, të cilët, pavarësisht peshës së rëndë, e kanë bërë kristalin të gatshëm për transport.
“Ky kristal është nxjerrë nga punëtorët e horizontit të 11-të, përkatësisht nga punishtja 151/A. Ai karakterizohet nga disa zgavra natyrore. Gjatë punimeve është hasur dhe është nxjerrë si pjesë e masivit që përmban pirit, galenit dhe është i mbuluar me kalcit të bardhë. Përmasat e tij janë rreth 1,40 metra i lartë dhe 1,20 metra i gjerë”, tha Tupella.
Ai shtoi se punëtorët e ndërrimit të tretë, pavarësisht peshës së madhe, arritën ta nxjerrin kristalin.
“Është interesant fakti që ka peshë të madhe, por punëtorët e zellshëm të ndërrimit të tretë e nxorën dhe e bënë të gatshëm për transport përmes vagonetave, lokomotivës dhe korpës. Nuk ishte e lehtë, por me shumë përkushtim ia dolën”, u shpreh ai përmediet kosovare.
Kristali i nxjerrë dëshmon pasurinë minerare të Trepçës dhe përkushtimin e punëtorëve në kryerjen e detyrës së tyre.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






