Transmetuar më 02-03-2026, 23:15

Lindja e Mesme në flakë: Rritet numri i viktimave, ja sa persona kanë humbur jetën në secilin vend

Pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, konflikti është përhapur në të gjithë Lindjen e Mesme. Sulmet dhe kundërsulmet mes palëve kanë sjellë rritje të ndjeshme të viktimave, si civile ashtu edhe ushtarake.

Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet zyrtare dhe mediat shtetërore, bilanci i viktimave deri pasditen e së hënë paraqitet si më poshtë:

Iran: 555 të vdekur

Gjysmëhëna e Kuqe iraniane njoftoi se 555 persona kanë humbur jetën nga sulmet e kryera në territorin iranian. Sipas mediave shtetërore, të paktën 165 persona u vranë nga një sulm ndaj një shkolle fillore për vajza. Autoritetet raportojnë se sulmet kanë prekur 131 zona të banuara. Nuk ka të dhëna të detajuara për numrin e të plagosurve.

Izrael: të paktën 10 të vdekur

Shërbimi kombëtar i emergjencës “Ylli i Kuq i Davidit” njofton se të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe mbi 200 janë plagosur që nga nisja e operacioneve ushtarake kundër Iranit. Nëntë viktima u regjistruan në qytetin Beit Shemesh, pasi një raketë goditi një strehë.

Liban: 31 të vdekur

Ministria e Shëndetësisë e Libanit deklaroi se sulmet ajrore izraelite në jug të vendit dhe në Bejrut kanë shkaktuar të paktën 31 viktima. Më vonë sonte u raportua se ky numër mund të jetë rreth dy herë më i lartë.

Irak: 4 të vdekur

Grupi paraushtarak i mbështetur nga Irani, “Forcat e Mobilizimit Popullor”, njoftoi se një nga selitë e tij u godit nga një sulm i përbashkët SHBA–Izrael, duke lënë katër të vrarë.

Emiratet e Bashkuara Arabe: 3 të vdekur

Ministria e Mbrojtjes e Emirateve konfirmoi se tre persona humbën jetën nga sulmet hakmarrëse iraniane.

Kuvajt: 3 ushtarë amerikanë të vrarë

Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se tre ushtarë amerikanë kanë humbur jetën në Kuvajt gjatë zhvillimeve të fundit. Më vonë sonte u njoftua dhe për tre ushtarë të tjerë amerikanë të vdekur.

Bahrein: 1 i vdekur

Sipas mediave shtetërore të Bahreinit, një person humbi jetën pasi mbetjet e një rakete të neutralizuar shkaktuan zjarr në një anije të huaj pranë zonës industriale Selman.

Sulmet vazhdojnë në disa vende të rajonit dhe ka shqetësime se numri i viktimave mund të rritet. Deklaratat nga palët e përfshira tregojnë se konflikti nuk është më i kufizuar vetëm mes Iranit dhe Izraelit, por është shtrirë në një pjesë të gjerë të Lindjes së Mesme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit