Transmetuar më 02-03-2026, 21:49

Gazment Buçpapa, autori i dyshuar i vrasjes së Egli Pashollarit në Tiranë, ka rënë në prangat e Policisë në Tropojë.

Policia bën me dije se Gazment Buçpapa u lokalizua në banesën ku fshihej në vendlindjen e tij, në Tropojë. Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Kujtojmë se 31-vjeçari Egli Pashollari u vra pasditen e 20 shkurtit, në rrugën “Kongresi i Lushnjes” në Tiranë.

Bashkëshortja e Buçpapës, e cila punon shitëse në një market në afërsi të vendit ku ndodhi krimi, i ka treguar burrit se Pashollari e ngacmonte.

Gazmend Buçpapa, bashkë me gruan dhe një tjetër person rreth orës 15:40 u konfliktuan me 31-vjeçarin, ku dhe e goditën me thikë për vdekje. Pas ngjarjes ata janë larguar me makinën e Buçpapës, dhe pasi e kanë braktisur kanë marrë taksi për në banesën e tyre në zonën e Sharrës. Pasi kanë shkuar në shtëpi, Buçpapa është arratisur.

Egli Pashollari

Njoftimi i policisë

DVP Tiranë/Finalizohet nga Policia dhe Prokuroria e Tiranës, operacioni i koduar “Distanca”.

Si rezultat i ndjekjes intensive dhe punës së miroganizuar operacionale, lokalizohet dhe ndalohet autori i vrasjes me thikë, të shtetasit E. P.

Autori, shtetasi G. B. u mbajt në mbikëqyrje, teksa fshihej në një banesë në Tropojë.

Si rezultat i veprimeve operacionale profesionale, të kryera në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, për lokalizimin dhe ndalimin e autorit të vrasjes së shtetasit E. P., kryer më datë 20.02.2026, gjatë një konflikti në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë finalizuan operacionin e koduar “Distanca”.

Në kuadër të këtij operacioni, pasi u lokalizua dhe u mbajt në mbikëqyrje në banesën ku fshihej në vendlindjen e tij, në Tropojë, u bë ndalimi i shtetasit G. B., 40 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit