Transmetuar më 02-03-2026, 21:03

Prishtinë – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) njoftoi të hënën se, megjithëse qindra shtetas të Kosovës ndodhen aktualisht në disa shtete të Lindjes së Mesme, asnjëri prej tyre nuk është prekur nga luftimet e ditëve të fundit.

Në një postim në Facebook, Ministria bëri të ditur se 21 qytetarë të Kosovës ndodhen në Izraeli, 331 në Arabia Saudite, rreth 400 qytetarë rezidentë dhe 70 turistë në Emiratet e Bashkuara Arabe, 75 qytetarë në Katari, afërsisht 60 në Kuvajti, 4 në Bahreini dhe 2 në Omani.

“Sipas informacioneve nga misionet tona diplomatike, të gjithë qytetarët tanë aktualisht janë në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Zhvillimet vijnë pas nisjes së një operacioni të madh ushtarak nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli ndaj objektivave në Irani, më 28 shkurt. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se qëllimi i operacionit, i koduar “Tërbimi Epik”, është të “sigurojë që Irani të mos pajiset me armë bërthamore”.

Pas bombardimeve të fundjavës, ku sipas raportimeve u vra edhe lideri suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, Teherani nisi sulme hakmarrëse ndaj Izraelit dhe disa vendeve të rajonit që strehojnë baza ushtarake amerikane.

MPJD u bëri thirrje shtetasve të Kosovës në këto vende të qëndrojnë të qetë, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të mbajnë kontakt të rregullt me përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Ministria publikoi gjithashtu numrat e emergjencës për çdo rast nevoje.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit