Transmetuar më 02-03-2026, 20:36

Pamje satelitore të realizuara para dhe pas sulmeve ajrore në objektin Choqa Balk-e, një bazë dronësh në perëndim të Iranit, tregojnë dëme të konsiderueshme në ndërtesat e magazinimit, bunkerët dhe pajisjet për lëshimin e dronëve.

Sipas analizës së imazheve, disa struktura janë shkatërruar plotësisht, ndërsa zona përreth paraqet gjurmë të qarta shpërthimesh.

Deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet iraniane për shkallën e plotë të dëmeve apo viktimave të mundshme.

Ku kanë goditur Izraeli dhe SHBA-ja?

Ushtria izraelite njoftoi për sulme të gjera të përbashkëta me SHBA-në gjatë fundjavës, duke shkatërruar sisteme të mbrojtjes ajrore në perëndim dhe qendër të Iranit.

Video të verifikuara nga Teherani treguan re të mëdha tymi mbi kryeqytet të shtunën. Sipas analizës së BBC Verify, imazhe satelitore të realizuara atë mëngjes tregojnë dëme të konsiderueshme në një pjesë të kompleksit të “Leadership House”, zyrës së Ajatollah Khameneit.

Forcat izraelite deklaruan se në Teheran janë goditur zona ku ndodheshin figura të larta politike dhe të sigurisë.

BBC Verify ka konfirmuar deri tani prova vizuale të sulmeve në 13 lokacione të ndryshme brenda Teheranit, ndërsa 12 qytete dhe zona të tjera në Iran rezultojnë gjithashtu të goditura.

Të paktën 153 persona humbën jetën në një shkollë për vajza në Minab, në jug të Iranit, pasi objekti u godit nga tre raketa të shtunën, sipas mediave shtetërore iraniane. BBC thekson se nuk ka mundur ta verifikojë në mënyrë të pavarur këtë informacion.

Ndërkohë, janë goditur edhe objektiva ushtarake në Kermanshah dhe Tabriz, si dhe baza detare iraniane në Konarak, në jug të vendit.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se forcat amerikane kanë fundosur 10 anije luftarake iraniane dhe kanë “shkatërruar në masë të madhe” selinë e marinës iraniane.

Të hënën, Izraeli njoftoi se po kryente sulme si në Iran ashtu edhe në Liban, pasi Hezbollahu kishte lëshuar raketa gjatë natës drejt qytetit izraelit Haifa.

Sulmet ajrore izraelite në Liban shënjestruan zonat që konsiderohen bastione të Hezbollahut në periferitë jugore të Bejrutit, zona pranë aeroportit të qytetit, si dhe objektiva të tjera në jug të vendit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit