

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se zgjedhja e presidentit kërkon një shumicë më të gjerë sesa minimumi formal kushtetues, në mënyrë që të shmanget rreziku i zgjedhjeve të reja parlamentare.
Sipas tij, prania dhe vota e çdo deputeti është vendimtare për procesin, duke theksuar se edhe një mungesë e vetme mund ta rrëzojë votimin dhe ta çojë vendin automatikisht në zgjedhje.
“Nuk mund të shkojmë me 80 vetë në udhëtim e në fund të dalë 79, sepse menjëherë shkojmë në zgjedhje”, u shpreh ai.
Kreu i ekzekutivit shtoi se objektivi i shumicës është të sigurohen rreth 84–85 vota, në mënyrë që procesi të jetë i qëndrueshëm dhe të mos varet nga mungesat eventuale të deputetëve.
Ai bëri të ditur se komunikimet dhe takimet mes partive politike po vazhdojnë pikërisht për këtë arsye, duke e cilësuar shmangien e zgjedhjeve si “prioritet absolut”.
Megjithatë, Kurti nuk dha një përgjigje konkrete lidhur me mundësinë e kandidimit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani.
Sipas tij, diskutimet ndërmjet subjekteve politike kanë qenë konstruktive, por ende nuk kanë prodhuar hapa konkretë, ndërsa theksoi se mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje ekzistojnë dhe nuk është e domosdoshme që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






