

Nis vala e dymbëdhjetë e operacionit “Premtimi i Vërtetë 4”
Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) kanë nisur valën e dymbëdhjetë të operacionit “Premtimi i Vërtetë 4” kundër pozicioneve të armikut.
Sipas njoftimit të publikuar nga marrëdhëniet me publikun e Gardës Revolucionare, faza e re e operacionit ka filluar zyrtarisht dhe po zhvillohet kundër objektivave të shpallura si armiqësore.
Më herët, në një deklaratë paraprake, ishte bërë e ditur se vala e njëmbëdhjetë e operacionit ishte realizuar përmes një aksioni të kombinuar, të gjerë dhe intensiv nga njësitë detare dhe ato të hapësirës ajrore të Gardës Revolucionare, duke shënjestruar objektiva ushtarake amerikane dhe izraelite në ditën e tretë të përshkallëzimit të konfliktit.
Sipas raportimit, janë goditur qendra informacioni dhe depo mbështetëse ushtarake amerikane në rajonin e Gjirit Persik, si dhe kompleksi i industrisë së komunikimeve të ushtrisë izraelite në Be’er Sheva. Gjithashtu, më shumë se 20 pika në zonat e Tel Avivit, Jeruzalemit Perëndimor dhe Galilesë në territoret e pushtuara janë goditur nga raketa dhe dronë iranianë.
Autoritetet iraniane pretendojnë se që nga fillimi i konfliktit janë sulmuar 60 objektiva strategjike dhe rreth 500 pika ushtarake amerikane dhe izraelite, me përdorimin e mbi 700 dronëve dhe qindra raketave. Sipas tyre, sistemi i mbrojtjes së kundërshtarëve nuk ka arritur të neutralizojë plotësisht sulmet, ndërsa intensiteti i operacioneve në 48 orët e fundit ka tejkaluar atë të luftës 12-ditore të mëparshme, raporton noa.al.
Në deklaratë akuzohen gjithashtu SHBA-ja dhe Izraeli për sulme ndaj objekteve civile në Iran, përfshirë spitale, shkolla, media dhe qendra të tjera publike. Sipas Gardës Revolucionare, këto veprime kanë forcuar vendosmërinë për vijimin e një përballjeje të plotë ushtarake dhe për zgjerimin e mëtejshëm të operacioneve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






