Transmetuar më 02-03-2026, 19:12

Presidenti Trump deklaroi të hënën se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë sulmet ndaj Iranit për aq kohë sa të jetë e nevojshme, derisa vendi të mos jetë më në gjendje të paraqesë kërcënim, duke lënë të kuptohet se lufta në Lindjen e Mesme mund të zgjasë me javë apo edhe më shumë.

“Çfarëdo kohe që të duhet, është në rregull, çfarëdo që të kërkohet”, tha Trump gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë, në komentet e tij të para publike që nga nisja e sulmeve ajrore amerikano-izraelite ndaj Iranit të shtunën. “Që në fillim parashikuam katër deri në pesë javë, por kemi kapacitetin të vazhdojmë shumë më gjatë se kaq. Dhe do ta bëjmë.”

Duke renditur objektivat, Trump tha se SHBA po “shkatërron aftësinë raketore të Iranit çdo orë”, po “asgjëson flotën detare” dhe po siguron që regjimi në Teheran “të mos mund të zotërojë kurrë armë bërthamore” apo të vazhdojë mbështetjen e grupeve të armatosura në rajon.

Pentagoni njoftoi se forca shtesë amerikane janë nisur drejt Lindjes së Mesme. Ndërkohë, Trump në intervista të ndara nuk përjashtoi mundësinë e dërgimit të trupave tokësore në Iran dhe paralajmëroi se valë edhe më të mëdha sulmesh ajrore janë në përgatitje.

Në një tjetër zhvillim, Ministria e Mbrojtjes e Katarit deklaroi se forcat ajrore të vendit rrëzuan dy avionë Su-24 që vinin nga Irani, raporti i parë që tregon se Teherani ka dërguar edhe avionë luftarakë në hapësirën ajrore të shteteve të Gjirit, përveç raketave dhe dronëve.

Sipas mediave amerikane, Trump ka paralajmëruar se sulmet mund të intensifikohen. Ai citohet të ketë thënë se “vala e madhe ende nuk ka ndodhur” dhe se “ajo e madhja po vjen së shpejti”.

Ndërkohë, përplasjet janë zgjeruar edhe në Liban, ku Hezbollahu ka lëshuar raketa drejt Izraelit, duke nxitur kundërpërgjigje të forta izraelite. Avionë izraelitë kanë goditur objektiva në Teheran, ndërsa Irani ka lëshuar dronë shpërthyes në rajon. Tre avionë amerikanë u rrëzuan nga mbrojtja ajrore e Kuvajtit në një incident që ushtria amerikane e quajti “zjarr miqësor i dukshëm”.

Sipas raportimeve, qindra persona kanë humbur jetën në Iran, tregjet globale janë tronditur dhe çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm, duke shtuar frikën për një luftë më të gjerë rajonale. Katër ushtarë amerikanë janë konfirmuar të vrarë deri tani, ndërsa zyrtarë ushtarakë paralajmërojnë se mund të ketë humbje të tjera.

Nga ana tjetër, udhëheqësit iranianë kanë reaguar me tone sfiduese. Zyrtari i lartë i sigurisë, Ali Larijani, mohoi raportimet për negociata me Uashingtonin dhe deklaroi se Irani është përgatitur për një luftë të gjatë, duke akuzuar SHBA-në për destabilizimin e rajonit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit