

Mes tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme, media azerbajxhanase Caliber ka raportuar se Irani po shqyrton mundësinë e një sulmi ndaj selisë së “Monafeqin”, term që autoritetet iraniane përdorin për Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (MEK), e vendosur në kampin Ashraf-3 në Shqipëri.
Sipas raportimit, Shërbimi për shtyp i Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) ka deklaruar në Telegram se veprimet e mundshme lidhen me një strukturë që Teherani e konsideron të përfshirë në “aktivitete armiqësore”.
Media në fjalë, duke iu referuar edhe sulmeve të fundit të Iranit ndaj objektivave në Qipro, sugjeron se Teherani nuk po e kufizon më veprimtarinë e tij në një hapësirë të caktuar gjeografike kur bëhet fjalë për kundërshtarët, duke sinjalizuar një zgjerim të kapaciteteve operacionale përtej rajonit.
Megjithatë, sipas ekspertëve të sigurisë, një skenar i tillë konsiderohet pothuajse i pamundur. Ata theksojnë se çdo raketë ose dron do të duhej të kalonte mbi hapësira ajrore të monitoruara rreptësisht, përfshirë Turqinë, Irakun ose Mesdheun, ku operon Flota e Gjashtë e Shteteve të Bashkuara, si dhe sistemet e Integruara të Mbrojtjes Ajrore dhe Raketore të NATO-s.
Sipas tyre, një sulm i drejtpërdrejtë ndaj Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s, do të përbënte përshkallëzim të rëndë me pasoja të paparashikueshme ndërkombëtare.
Çfarë është MEK?
Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (e njohur edhe si Mujahedin-e-Khalq – MEK) është një lëvizje opozitare iraniane e themeluar në vitin 1965, fillimisht si organizatë islamike me prirje socialiste kundër sundimit të Shahut Mohammad Reza Pahlavi.
Gjatë viteve 1970, organizata kreu sulme të armatosura kundër monarkisë dhe shënjestroi gjithashtu interesa amerikane në Iran. Fillimisht, ajo mbështeti Ruhollah Khomeini dhe Revolucionin Islamik të viteve 1978–1979, por marrëdhëniet me regjimin e ri u përkeqësuan shpejt. Grupi u ndalua dhe shumë anëtarë u arrestuan ose u detyruan të largoheshin nga vendi.
Në vitet 1980, MEK u zhvendos në Irak, ku veproi nga baza të ofruara nga regjimi i Saddam Hussein, duke ndërmarrë operacione kundër Iranit gjatë luftës Iran-Irak. Ky bashkëpunim mbetet thellësisht i debatueshëm mes iranianëve.
Në vitin 1997, Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli MEK-un organizatë terroriste, për shkak të përfshirjes së saj në akte dhune në të kaluarën. Në vitin 2012, pas një procesi të gjatë ligjor dhe politik, grupi u hoq nga lista e organizatave terroriste, me argumentin se kishte hequr dorë nga dhuna dhe kishte bashkëpunuar në mbylljen e kampeve paraushtarake në Irak.
Në vitin 2002, MEK bëri publik ekzistencën e një impianti të padeklaruar për pasurimin e uraniumit në Iran, duke nxitur kontroll më të rreptë ndërkombëtar mbi programin bërthamor të Teheranit.
Prania në Shqipëri
Kompleksi Ashraf-3, i vendosur në Manzë, pranë Tiranës, strehon rreth 3 mijë anëtarë të MEK-ut. Lëvizja opozitare u vendos në Shqipëri në vitin 2013, pasi qeveria shqiptare pranoi strehimin e anëtarëve të saj me kërkesë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, pas viteve të pasigurisë në Irak.
Pas rrëzimit të regjimit të Saddam Husseinit në vitin 2003, pozicioni i grupit në Irak u bë gjithnjë e më i pasigurt, çka çoi në transferimin gradual të anëtarëve jashtë vendit dhe, përfundimisht, në zhvendosjen e tyre në Shqipëri.
Zhvillimet e fundit në rajon mbeten në vëzhgim, ndërsa autoritetet shqiptare nuk kanë bërë deklarime zyrtare lidhur me raportimet e medias së huaj.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






