

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Ilegal chat”, duke goditur një aktivitet të paligjshëm të ushtrimit të prostitucionit në kryeqytet. Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë dy shtetase me shtetësi vietnameze, të cilat dyshohet se përdornin rrjetet sociale për të siguruar klientë.
Shtetaset e ndaluara, Th. A., 51 vjeçe, dhe Th. P., 33 vjeçe, e ushtronin këtë veprimtari në një apartament të marrë me qira në rrugën “Naim Frashëri”. Sipas hetimeve paraprake, marrëveshjet me personat e interesuar realizoheshin përmes platformave të komunikimit online, ku përcaktoheshin kushtet dhe vendi i takimit.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, autoritetet po vijojnë veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet, përfshirë bashkëpunëtorë të mundshëm apo ndërmjetës.
Materialet procedurale i kanë kaluar organit të akuzës për veprime të mëtejshme, ndërsa mbi të arrestuarat rëndon akuza e ushtrimit të prostitucionit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






