Transmetuar më 02-03-2026, 11:04

Një ditë pas shkarkimit të Ilir Prodës nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, lideri i opozitës, Sali Berisha, ka zbuluar arsyet që sipas tij çuan në këtë vendim të kryeministrit Edi Rama. Berisha tha se Proda u largua nga detyra pasi dështoi të siguronte vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha, e cila u shënjestrua me molotov gjatë protestës së opozitës më 28 shkurt.

Kryedemokrati lëshoi akuza të rënda edhe ndaj pasardhësit të komanduar, Sokol Bizhga, duke e cilësuar atë si një "armik të egër" dhe "tradhtar të bashkëluftëtarëve".

Sipas Berishës, Bizhga duhet të dënohet me të paktën 30 vite burg për braktisjen e kolegut të tij, Gjergj Mehmeti, në një ngjarje ku ky i fundit mbeti i vrarë. Ai theksoi se emërimi i Bizhgës në krye të Policisë është një lëvizje e qëllimshme e Ramës për të luftuar opozitën.

"E hoqi Prodën se nuk mbrojti vilën e Enverit dhe vuri këtë kundër opozitës. Opozita e ka të dënuar atë", deklaroi Berisha, duke e mbyllur reagimin e tij me paralajmërimin se forca e tij politike nuk e njeh legjitimitetin e drejtuesit të ri të policisë.

E PLOTË

Berisha: Sokol Bizhga duhet dënuar për tradhti të lartë, e la kolegun e tij të digjej i gjallë nga kriminelët

Pyetje: Z. Berisha, po për emërimin e Sokol Bizhgës në krye të policisë?

Sali Berisha: Një armik i egër i ligjit, një tradhtar i kolegut të tij, që e dogjën të gjallë në makinë kriminelët Gjergj Mehmetin dhe ky ia mbathi.

Dhe del e u thotë se kalova nëpër kodra e nëpër male si partizan ky gjoja.

Ky është një tradhtar që e meriton të dënohet për tradhti të lartë ndaj shokut, ndaj bashkëluftëtarit të paktën 30 vite.

Prandaj e vuri Edi Rama aty tani, hoqi Prodën se nuk mbrojti vilën e Enverit dhe vuri këtë tani kundër opozitës.

Por ta dijë mirë se opozita e ka të dënuar atë.

Pyetje: A do vazhdoni sërish protestat me molotov?

Sali Berisha: Protestat i kemi më paqësore. Në qoftë se përdoren disa elementë piroteknike, ato janë shprehje e urrejtjes ndaj Edi Ramës, por gjer sot dy gjëra mund të them, protestat tona janë absolutisht paqësore.

Do jenë paqësore dhe kjo është zgjidhje, jo imponim, por ky është besimi ynë.

Po, janë përdorur mjete piroteknike, të cilat ju i quani bomba molotov, por nuk ka një njeri të plagosur prej tyre.

Asnjë.

E para, nuk ka një polic të plagosur. Kemi njerëz të qëlluar në kokë me plumb gome, jo një, por disa, kemi shumë probleme por ne qëndrojmë në protestat pa dhunë.

Ne jemi të vendosur të vazhdojmë protestat tona pa dhunë.

Asnjë polic, filluan të japin komunikata, nuk japin më se ua vërtetonim që atë moment që i kishin gënjeshtra.

Asnjë polic i plagosur nga protestuesit. Disa protestues të plagosur me plumb në ballë, plumb pas veshi, në mënyrë të egër nga Sokol Bizhga dhe ky Proda që iku.

Për sa i përket tani meqë hyra në këtë temë, sigurisht ndjej shumë keqardhje për ata të huaj që kanë qenë aty dhe i siguroj se ata nuk kanë qenë kurrë objekt i atyre që i kanë hedhur ato mjete piroteknike.

Jo, por nuk e kanë ditur se janë aty.

Sidoqoftë për ata ndjej keqardhje të madhe, nuk duhej të ndodhte kurrsesi. Dy të huaj thuhet se kanë qenë aty.

Nuk e ka ditur njeri fare.

Një gjë është, trashëgimia e Enver Hoxhës, unë për shembull e mora vesh pasi pyeta dhe më thanë se është bërë qendër kulturore.

Ajo mund të ishte muze i torturave çnjerëzore, por qendër kulturore vila e Enver Hoxhës është një fyerje e madhe për mbi 7 mijë të ekzekutuar barbarisht për vlerat themelore të njeriut, për 40 mijë të internuar, për 120 mijë të persekutuar.

Ajo qendër kulturore vetëm mendja e sëmurë e Edi Ramës që adhuron Enver Hoxhën, unë nuk kisha dëgjuar kurrë.

Ajo mund të ishte muzeu i torturave dhe ajo mund të bëhej muzeu i torturave çnjerëzore të diktaturës.

Megjithatë me këtë unë nuk justifikoj fare dhe prania e atyre dy të huajve është keqardhje e madhe për mua.

Pyetje: Keni kërkuar ndjesë apo kjo është ndjesa?

Sali Berisha: Ja pra, a po shpreh keqardhje unë? Unë e mora vesh që ajo është shndërruar në qendër kulturore pasi ndodhi ngjarja.

Se çfarë qendër kulturore mund të jetë shtëpia e diktatorit, e Edi Rama. Se çfarë frymëzimi mund të gjejë për kulturën ai, qendër antikulture, po. Sepse kultura socialiste ishte antikulturë, ishte pseudokulturë.

Unë u habita mbrapa, po kjo nuk është punë e imja, e ka bërë Edi Rama, Edi Rama është i njohur si admirues i tij, i ati i tij ka qenë zëvendësi i Nexhmije Hoxhës, nënkryetar i Frontit Demokratik, pra i kanë lidhje familjare.

Berisha: Vila e Enverit u sulmua, pasi besonin se aty ishte Edi Rama! Njerëzit pranë tij kanë folur për një projekt kulle

Pyetje: Z. Berisha, largimin e titullarit të Policisë së Shtetit a e konsideroni si sukses të protestës të së shtunës?

Sali Berisha: Ka një fakt që ai u largua i shënjuar nga ne si një armik i ligjit, si një bashkëpunëtor i bandave, e sigurt kjo.

Por druaj se ai u largua për shkak se nuk ka mbrojtur vilën e Enver Hoxhës dhe kjo pastaj nuk them, thashë gjersa aty kishte njerëz dhe ishte qendër kulture, se policia kudo na doli me ato mburojat para dhe na pengonte, aty nuk kishte njeri, ata nuk panë njeri aty, ata kanë menduar se nuk ka njeri. Ky është gjithë problemi.

Dhe duket se tani që u bë… bile aty u tha edhe më keq, aty u tha se kanë futur njerëz të policisë kriminale t’u thonë protestuesve që banon Edi Rama aty.

Dhe fillimi i sulmeve ndaj asaj vile ka ardhur me besimin se aty banon Edi Rama.

Urrejtja për Edi Ramën është e pakufishme dhe nuk mundet ne që të pengojmë urrejtjen ndaj Edi Ramës. Kjo është e vërteta.

Por ai nuk ishte aty, ai banonte herë pas here tek vila e Mehmet Shehut.

U sqaruan gjërat.

Ka të tjerë që thonë se aty është projekt kulle.

Nuk e di. Po njerëz të afërt me Ramën kanë lëshuar idenë se është në projekt kulle.

Sidoqoftë atyre dy të huajve u kërkojmë ndjesë dhe shpreh keqardhje se nuk duhej kurrsesi dhe po të dihej se është qendër kulturore dhe se aty ka të huaj, kjo nuk mund të ndodhte.

Pikë.

Pyetje: Z. Berisha, kush është më e rëndësishme, vila e Enverit apo Shtëpia me Gjethe që dikur kryheshin përgjimet e Sigurimit të Shtetit?

Sali Berisha: Asgjë nuk krahasohet me mizorinë e Enver Hoxhës. Enver Hoxha ishte njeriu më mizor, i cili shumë më tepër vrau me uri kronike shqiptarët se sa me skuadra ekzekutimi.

Ju nuk i dini, nuk keni jetuar në atë kohë ju kur 70% shqiptarë jetonin me bukë, kripë dhe sherbet.

Ose lëng kripe ose lëng sheqeri dhe bukë misri.

Ai nuk ka të krahasuar me asnjë diktator tjetër në Europë dhe në botë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit