Transmetuar më 01-03-2026, 20:23

Prej më shumë se një dekade Dubai është zgjedhur si një vend ku jeton e punon një komunitet i konsiderueshëm shqiptarësh prej rreth 1.500 personash.

Sonila Sherifi është një prej tyre e cila prej 11 vitesh jeton atje. E intervistuar nga gazetari i Top Channel Muhamed Veliu, ajo tregon si është përjetuar sulmi me raketa nga Irani edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Realisht ka qenë e papritur për të gjithë ne, sepse jetojmë në një nga vendet le të themi më të sigurta në botë. Duke qenë se kemi pasur mbështetjen e pafundme të qeverisë këtu dhe jemi siguruar nga ata se çdo gjë do të shkojë mirë dhe situata është nën kontroll kemi ndjerë një lloj lehtësimi.

Por patjetër që shqetësimi ekzistonte sepse si prindër gjithashtu meraku më së shumti është për fëmijët. Por realisht kemi qenë më të qetë sepse hap pas hapi kemi pasur ‘update’ nga të gjitha burimet zyrtare të qeverisë që situata është nën kontrollin e sigurisë më të lartë.

Këto janë situata jo fort lehtë për tu përballur sidomos kur jeton në një vend kaq të sigurt që nuk ndodh asgjë praktikisht por jemi të qenë. Në përgjithësi jemi të qetë”, tregon Sonila Sherifi.

Solila Sherifi tregon edhe këshillat e dhëna nga autoritet në Dubai.

“Momentalisht na kanë thënë të jemi nëse mundemi të qëndrojmë sa më gjatë në ambiente të mbyllura, ambiente shtëpiake apo ambiente të mbyllura si qendra tregtare apo kudo që jemi.

Të evitojmë zonat ku janë tanimë mbetjet e raketave të cilat janë kundërsulmuar prej mbrojtjes ajrore dhe dronëve të Dubait përmes të cilave janë parandaluar sulmet e drejtpërdrejta. Mbeturinat kanë rënë praktikisht në zona të caktuara dhe kanë nën vëzhgimin e autoriteteve të vendit”, u shpreh ajo.

Autoritetet e Dubait të dielën dërguan njoftime emergjente për banorët, duke u kërkuar atyre “të kërkojnë strehim të menjëhershëm”.

“Për shkak të situatës aktuale dhe një kërcënimi të mundshëm me raketa, kërkoni strehim të menjëhershëm në ndërtesën më të afërt të sigurt dhe shmanguni dritareve, dyerve dhe zonave të hapura”, thuhej në njoftimin e dërguar në telefonat celularë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit