

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ka thënë se beson që Murat Jashari, nga familja e heroit Adem Jashari, do të ishte figura ideale për pozitën e presidentit dhe nëse për partitë politike në Kosovë ka qenë e pamundshme të gjendet një figurë unifikuese për këtë pozitë, atëherë pajtohet që secila parti të ketë kandidatin e vet për president në Kuvend.
Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit, vëllait të Adem Jasharit, dhe anëtarë tjerë të familjes, e kanë bërë të qartë më herët gjatë javës se nuk kanë ambicie për pozitën e presidentit, dhe një pozitë të tillë do ta shqyrtonin vetëm një rast të ndonjë gjendjeje të jashtëzakonshme apo lufte civile.
Kurti e ka përmendur se marrë për bazë situatën aktuale gjeopolitike në botë, ai beson se vendit i duhet “një figurë që u bën ballë shtrëngatave” me të cilat përballet shteti, prandaj sipas tij, Murat Jashari “do të ishte zgjedhja e duhur në momentin e duhur” dhe vazhdon të mbetet rasti ideal.
“Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet se një figurë, profesor e personalitet sikurse Murat Jashari, do të gëzonte mbështetje gjithëpartiake, do të ishte nder për republikën, stabilitet për institucionin dhe siguri për kombin. Rrethanat gjeopolitike, lufta në Ukrainë, konflikti SHBA-Iran dhe tensionet në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, si dhe kërcënimet e njëpasnjëshme nga Serbia, përfshirë agresionin terrorist në Banjskë, sulmin kinetik në kanalin e Ibër-Lepencit, dhe kërcënimet e përditshme nga fqinji ynë verior kërkojnë një moment reflektimi”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së.
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani ka thënë se e dëshiron edhe një mandat, mirëpo LVV-ja, e cila e pati kandiduar për mandatin e parë, tani nuk e përmend emrin saj.
Edhe partitë opozitare duket se nuk kanë votë për të, meqë me raste e kanë kritikuar për njëanshmëri në të mirë të partisë së Kurtit.
“Nëse nuk arrijmë të gjejmë një figurë unifikuese që siguron mbështetjen e të paktën 80 deputetëve, atëherë një nga opsionet e mbetura është që secila parti të propozojë kandidatin e vet për president dhe të gjithë t’i nënshtrohen garës brenda Kuvendit. Në fund do të fitojë ai ose ajo që arrin të marrë mbështetjen e deputetëve nga tri rundet, siç e kërkon Kushetuta në procedurën e saj”, ka thënë Kurti.
Ai e ka bërë këtë deklaratë teksa e ka komentuar ofertën që i ka bërë një ditë më parë Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës që emri i presidentit të propozohet nga partia që udhëheq ai.
Për të propozuar një kandidat për president duhet siguruar 30 nënshkrime deputetësh, ndërsa LVV-ja, e vetme, i ka 57 sosh. Të gjitha partitë tjera i kanë më pak se 30 deputetë.
Për zgjedhjen e kandidatit nevojiten të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para, ose 61 në të tretin, prej 120 votave në total.
Kurti ka paralajmëruar se të hënën do të diskutojë sërish për këtë çështje me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
“Nëse subjektet pajtohen që ky të jetë rrugëtimi, pra garë e hapur, ku secili subjekt e ka kandidatin apo kandidaten për president, atëherë edhe ne pajtohemi me këtë qasje dhe LVV-ja do ta ketë kandidatin e saj për president”, ka thënë mes tjerash Kurti.
Ndonëse Hamza i ka bërë ofertë Kurtit që kandidimin ta bëjë partia e tij, ai nuk e ka përmendur ndonjë emër konkret.
Pozita e presidentit në Kosovë është kryesisht ceremoniale – për shkak se vendi është republikë parlamentare – dhe prej një presidenti kërkohet të jetë figurë unifikuese mes partive politike.
Më herët gjatë javës, Arsim Bajrami, ish-ministër i Administratës Publike dhe i Arsimit, ka shprehur gatishmërinë për t’u bërë president.
Njëjtë, gatishmëri ka shprehur javë më parë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, mirëpo partitë tjera nuk i kanë dhënë mbështetje.
Nëse vendi dështon që të finalizojë këtë proces me kohë, atëherë përballet me zgjedhje të parakohshme parlamentare, pa i bërë ende një muaj prej kur u bë me Qeveri të re.
Organizata të shoqërisë civile kanë bërë thirrje që një proces i tillë të shmanget, duke kërkuar që interesi qytetar të vendoset para atij partiak. /REL/
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






