Transmetuar më 28-02-2026, 22:28

TIRANË, 28 shkurt 2026 — Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka reaguar me ashpërsi pas sulmit me lëndë djegëse ndaj ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha, e cila aktualisht shërben si qendra ndërkombëtare e artit "ArtExplora Vila 31". Gonxhja e cilësoi këtë ngjarje si një "akt terrori" ndaj kulturës dhe qytetërimit, duke theksuar se agresioni tejkalon çdo kufi të opozitarizmit politik.

Sipas deklaratës zyrtare, në momentin e hedhjes së dhjetëra bombave molotov, brenda godinës ndodheshin 12 artistë, shumica prej tyre shtetas të huaj pjesë e programeve të rezidencave artistike. Ministri bëri me dije se megjithëse zjarri shkaktoi panik të madh dhe dëme në strukturë, fatmirësisht nuk pati lëndime në njerëz. "Është revoltuese të shohësh se si verbëria politike nuk ndalet para asgjëje, duke rrezikuar jetë njerëzish dhe krijimtari artistike," u shpreh ai përmes një reagimi në rrjetet sociale.

Autoritetet kanë bërë të ditur se po punojnë për identifikimin e plotë të personave përgjegjës për këtë sulm. Ministri Gonxhja paralajmëroi se do të ketë ndjekje penale të rreptë për autorët, duke nënvizuar se dhuna politike nuk do të lejohet të cenojë institucionet që përfaqësojnë lirinë e mendimit dhe artin në Shqipëri.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit