

TIRANË, 28 shkurt 2026 — Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka mbyllur zyrtarisht protestën e sotme me një fjalim nga selia blu, duke e cilësuar tubimin si një fitore historike të opozitës. Berisha u deklarua para mbështetësve se ky marshim dërgoi një mesazh të qartë te partnerët ndërkombëtarë në Europë dhe në botë për vendosmërinë e popullit shqiptar.
Gjatë fjalës së tij, Berisha e cilësoi datën 28 shkurt si fillimin e një "kryengritjeje paqësore" që, sipas tij, tronditi themelet e qeverisë. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për përdorimin e dhunës së pajustifikuar përmes forcave të policisë dhe topave të ujit, duke theksuar se këto masa nuk do ta zmbrapsin aksionin opozitar. "Arritëm një rekord të ri," u shpreh lideri demokrat, duke premtuar se protesta do të vijojë deri në largimin e plotë të ekzekutivit aktual, të cilin ai e quajti "narkodiktaturë". Deklarata:
"Heronj të vërtetë jeni! Tirana në tërë ekzistencën e saj nuk ka njohur një marshim triumfi si marshi juaj sot. Kjo datë, 28 shkurti do gdhendet me germa të arta në historinë e kryengritjes paqësore të shqiptarëve kundër narkoshtetit. Për tre orë, marshi juaj ishte marshi i fitores, ishte marshi i shqiptarëve, i dinjitetit, i guximit. Ishte mesazhi më i shkëlqyer që ju u dërguat miqve tanë në Europë dhe në botë. I kallët tmerrin dhe datën narkodiktatorit Edi Rama", tha Berisha.
"Miq, korrëm një fitore tjetër sot. Arritëm një rekord të ri në protestën tonë, çka do të thotë asgjë nuk na ndal ne pa e hedhur Edi Ramën aty ku e meriton, në koshin e plehrave të historisë. Dënoj me forcën më të madhe dhunën jashtë çdo lloj shkaku të përdorur ndaj protestuesve me urdhër të Edi Ramës. E patë dhe vetë, në një kohë kur ne po rrinim të qetë, topat e ujit i drejtoi drejt Sali Berishës, por i them se je i pashpresë o budalla", përfundoi kryedemokrati Sali Berisha.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






