Transmetuar më 28-02-2026, 15:23

Agjencia e Fluturimeve Hapësinore me Astronautë e Kinës (CMSA) bëri të ditur se në vitin 2026, do të thellojë aplikimin e stacionit hapësinor dhe hulumtimin hënor me astronautë, duke shtuar përpjekjet për t’u kthyer në një fuqi hapësinore. Tani stacioni hapësinor i vendit po funksionon në mënyrë të qëndrueshme në orbitë dhe fazat e ndryshme të punës për zbritjen në Hënë të projektit të hulumtimit hënor me astronautë po zhvillohen në rrugë të mbarë.

Aktualisht në stacionin e saj hapësinor janë vënë në zbatim 267 projekte shkencore dhe aplikimi, duke përfshirë shkencën e jetës dhe studimin e trupit njerëzor në hapësirë, fizikën e mikrogravitetit dhe teknologjitë e reja hapësinore. Disa arritje të këtyre projekteve janë shndërruar në fryte konkrete dhe janë futur në procesin e aplikimit, gjë që ka nxitur zhvillimin e vrullshëm të shkencës dhe aplikimit hapësinor të vendit.

Siç mësohet, CMSA sivjet do të kryejë dy misione me astronautë dhe një mision furnizimi me anije kozmike mallrash. Ka mundësi që edhe taikonautët, siç quhen ndryshe astronautët kinezë, nga Hong-Kongu dhe Makaoja të marrin pjesë në misionet në stacionin hapësinor sivjet. Ndërkohë, edhe një taikonaut prej ekuipazhit të misionit "Shenzhou-23" do të kryejë provën e qëndrimit njëvjeçar në hapësirë.

Me synimin që kinezi i parë të shkojë në Hënë para vitit 2030, punët e ndryshme mbi fazat përkatëse të projektit të hulumtimit hënor me astronautë janë në zhvillim të mbarë. Deri tani, studimi dhe zhvillimi i raketës mbartëse "Marshimi i Madh-10", anijes kozmike me astronautë "Mengzhou" dhe sondës së zbritjes në Hënë "Lanyue" po vijojnë sipas planit. Kanë përfunduar provat kryesore, si largimi në lartësi zero i anijes me astronautë "Mengzhou", ringritja e sondës pas zbritjes në Hënë, si edhe ndezja e raketës mbartëse pa u ngritur nga Toka. Gjatë vitit 2026 do të nxitet me fuqi të plotë ndërtimi i pajisjeve dhe instalimeve përkatëse në vendin e lëshimeve satelitore "Wenchang".

Kina i mirëpret gjithmonë vendet e tjera të marrin pjesë dhe të shfrytëzojnë bashkë arritjet e saj në këtë drejtim, të nxisin bashkë zhvillimin e teknologjisë hapësinore të botës dhe të japin më shumë kontribut për përdorimin paqësor të hapësirës dhe për të sjellë përfitime për njerëzimin.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit