

SERBI, 28 Shkurt 2026
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi këtë të shtunë se sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit do të prodhojnë pasoja të gjera në skenën politike botërore. Gjatë një interviste për televizionin "Informer", Vuçiç theksoi se Serbia duhet të ruajë pavarësinë e saj dhe të forcojë kapacitetet mbrojtëse në dritën e këtyre zhvillimeve.
Reagimi i kreut të shtetit serb vjen pas nisjes së operacioneve ushtarake amerikano-izraelite në disa qytete të Iranit, aksione këto të konfirmuara nga Presidenti Donald Trump me qëllim eliminimin e kërcënimit nga regjimi i Teheranit. Vuçiç e krahasoi situatën aktuale me ndërhyrjen e NATO-s në ish-Jugosllavi në vitin 1999, duke pretenduar se qëllimi kryesor mbetet ndryshimi i regjimit.
“E gjithë kjo po realizohet siç ndodhi në Serbi. Gënjyen gjatë gjithë kohës se bëhej fjalë për katastrofë humanitare, ndërsa thelbi ishte ndryshimi i regjimit në Beograd dhe sigurimi i pavarësisë së Kosovës,” u shpreh Vuçiç. Sipas tij, operacioni aktual është një përpjekje për të marrë pushtetin e plotë në Iran dhe për ta orientuar vendin drejt vlerave perëndimore.
Në vijim të fjalës së tij, presidenti serb njoftoi planet për blerjen e sistemeve të reja dhe të fuqishme të mbrojtjes ajrore. Ai nënvizoi se ruajtja e paqes varet drejtpërdrejt nga fuqia ushtarake e vendit, duke konfirmuar se Serbia po shqyrton seriozisht forcimin e mbrojtjes shumë-shtresore.
Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, të cilës Vuçiç i referohet, u ndërmor për të ndalur krimet e forcave serbe ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë, fakte këto të vërtetuara nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Pas tërheqjes së trupave serbe, Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, akt i cili vijon të mos njihet nga Beogradi zyrtar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






