

ELBASAN – Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Alert”, i cili çoi në prangosjen e një 53-vjeçari të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle. Shtetasi me iniciale J. B., banues në Vlorë, u lokalizua dhe u ndalua në aksin rrugor Elbasan–Peqin.
Operacioni u realizua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me shërbimet e Qarkullimit Rrugor. Arrestimi u bë i mundur pas informacioneve të siguruara në rrugë operative mbi lëvizjen e personit të kërkuar. Akuzat nga drejtësia spanjolle Gjykata spanjolle (Juzgado Central de Instrucción n.º 1 – Audiencia Nacional) kishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar për 53-vjeçarin, i cili akuzohet për tri vepra të rënda penale:
Trafik i lëndëve narkotike;
Pjesëmarrje në organizatë kriminale;
Vjedhje e energjisë elektrike.
Sipas Kodit Penal të Spanjës, për këto vepra, ky shtetas rrezikon një dënim maksimal prej 9 vitesh burgim.
Procedurat e ekstradimit Aktualisht, Interpol Tirana po bashkëpunon ngushtë me homologët në Spanjë për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm. Pritet që brenda afateve ligjore, shtetasi J. B. të ekstradohet drejt shtetit iberik për t’u ballafaquar me drejtësinë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






