

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha tha se Edi Rama se po bashkohet me Aleksandër Vuçiç ndërkohë që dera e Bashkimit Europian për anëtarësim i është mbyllur Shqipërisë për shkak të politikave dhe vjedhjeve të qeverisë së tij. Në bashkëbisedimin me qytetarët në rrjete sociale, Berisha kritikoi ashpër sulmet e Ramës ndaj Gjermanisë, duke theksuar se vendi ka dhënë mbështetje të jashtëzakonshme për projekte në Shqipëri me mbi 1.5 miliardë euro.
Në fund, Berisha tha se Rama vepron vetëm për interesat e tij kriminale, duke shkelur ligjet dhe duke injoruar funksionimin e shtetit ligjor. Kreu i PD-së nënvizoi se opozita shqiptare mbetet e përkushtuar për integrim të plotë të vendit në BE, bazuar në meritë, standarde demokratike dhe sundimin e ligjit
"Edi Rama për interesat e tij kriminale është i aftë të sulmojë çdo vend dhe çdo njeri. Dënoj me forcën më të madhe sulmet e tij ndaj një vendi, i cili i ka dhënë Shqipërisë gjer sot ndihma jashtëzakonisht të çmuara në mijëra projekte nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, mbi 1.5 miliardë euro ose më shumë. Edi Rama nuk ka asnjë kriter tjetër as mirënjohje, as përgjegjësie përveç interesave të tij kriminale. Është e vërtetë se autoritetet gjermane kërkojnë funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Po rikujtoj këtu vizitën e ministrit federal për ndihmën ekonomike Nibel. Duhet të ketë qenë viti 2009 ose 2010. Inauguruam së bashku ujësjellësin e Beratit, financim i tyre dhe po pinim një kafe. Ai kishte deklaruar për gazetarët se ne jemi të interesuar për konsolidimin e shtetit ligjor. Një deklaratë shumë normale.
Dhe më pyeti, zoti kryeministër, a u lëndova unë me këtë deklaratë. Absolutisht aspak, çfarë kërkuat ju zoti ministër, ju kërkuat atë që është interesi i qytetarëve shqiptarë. Si mund të lëndohem unë kur ju kërkoni një gjë që është në interesin më të mirë të shqiptarëve. Dhe ai më falënderoi dhe më tha se edhe për ne, kur i japim këto ndihma, që ua marrim taksapaguesve tanë, duhet të jemi të qetë se i jepet një vendi ku qytetarët bëhen edhe më të lirë dhe më të sigurt. Tani, zhvillimi më i fundit siç e patë ju, ishte artikulli që shkroi me padronin e tij, Aleksandër Vuçiç në Frankfurter Allgemine Zeitung. Aleksandër Vuçiç, i akuzuar së fundmi për safarin, gjahun e qytetarëve myslimanë në Sarajevë, si snajper që shkonte dhe bënte gjah në vikende, mori argatin e tij për t’u paraqitur me një editorial të gjatë në Frankfurter Allgemine Zeitung. Çfarë kërkonin dy kryetarët e organizatave kriminale më të rrezikshme të Europës, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç.
Po, po, Aleksandër Vuçiç është gjetur se ka lidhje me Bjelivukun apo Ujkun e Bardhë dhe bandën e tij, njerëz që thernin dhe bluanin mishrat e kundërshtarëve politikë në brigjet e Danubit, njësoj siç është Ergys Agasit i cili me pam-pam apo me pengmarrje zgjidhte të gjitha problemet e kopshtit privat të Edi Ramës. Pra, këta bëjnë një kryeartikull, në të cilin i thonë Europës se nuk ka nevojë të jemi anëtarë me të drejta të plota në BE, sepse nënkuptohet rregullat nuk i zbatojnë dot, kriteret nuk i zbatojnë dot, por na jepni tregun. Pra, me një fjalë, ky argat u rikthye tek Ballkani i Hapur, na jepni tregun e lirë. U rikthye tek Ballkani i Hapur me të cilin ky shkatërroi përfundimisht ekonominë, bujqësinë shqiptare. Nuk kishte akt më antishqiptar.
Bashkohet me aleatin e Putinit tani që e sheh se dera e Brukselit, dera e integrimit po i mbyllet për shkak të vjedhjeve të tij. Ne jemi sot për t’i deklaruar Edi Ramës se opozita shqiptare ka dhe do ketë si ylli e saj polar integrimin e plotë të Shqipërisë në BE. Integrimin e bazuar në meritë, e bazuar në funksionimin e shtetit ligjor, e bazuar në kriteret dhe standardet demokratike. Prandaj dhe përpiqu, bëj gati kërkesën për strehim politik në Beograd, por të garantoj se bashkë me të do përfundoni diku tjetër se edhe atij demokratët dhe populli shqiptar do i japë përgjigjen e merituar," tha Berisha.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






