

SHBA dhe Izraeli nisin sulme ndaj Iranit, shpërthime në Teheran dhe zona të tjera të vendit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë ndërmarrë një operacion ushtarak ndaj Iranit, ndërsa shpërthime janë dëgjuar dhe parë në disa zona të Teheranit, raporton Al Jazeera.
Sipas agjencisë iraniane Fars, disa raketa kanë goditur zonën e Rrugës së Universitetit dhe lagjen Jomhouri në kryeqytet.
Agjencia gjysmëzyrtare Tasnim bëri të ditur se shpërthime janë regjistruar edhe në zonën veriore Seyyed Khandan, ndërsa media të tjera iraniane raportuan për goditje në disa pjesë të vendit.
"Raportet e gazetarëve të IRNA-s nga provincat tregojnë se përveç Teheranit, zhurma e disa shpërthimeve u dëgjua edhe në disa pjesë të tjera të vendit. Shpërthime u dëgjuan në Qom, Lorestan, Hamedan, Kermanshah, Karaj, Tabriz dhe Ilam, por ende nuk është dhënë asnjë lajm zyrtar për detajet e këtyre ngjarjeve", citon noa.al këtë raport të IRNA.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se sulmi u ndërmor “për të larguar kërcënimet ndaj Shtetit të Izraelit”.
Një zyrtar amerikan i tha Al Jazeera se sulmet janë kryer si një operacion i përbashkët ushtarak mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara. SHBA ka grumbulluar në rajon një flotë të konsiderueshme avionësh luftarakë dhe anijesh ushtarake, në përpjekje për të ushtruar presion ndaj Iranit për një marrëveshje mbi programin e tij bërthamor.
Sipas agjencisë Associated Press, një nga goditjet në Teheran ka ndodhur pranë zyrave të Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei.
Një zyrtar i cituar nga Reuters ka bërë të ditur se Khamenei nuk ndodhet në Teheran dhe është transferuar në një vend të sigurt.
Korrespondenti i Al Jazeera në Teheran raportoi se komunikimet celulare janë ndërprerë në disa zona të kryeqytetit dhe aktualisht nuk është e mundur kryerja e telefonatave.
Sirena alarmi në Izrael
Ndërkohë, në Izrael u dëgjuan sirena alarmi dhe u shpall gjendje emergjence. Ushtria izraelite njoftoi se kishte lëshuar një paralajmërim paraprak për të përgatitur publikun për mundësinë e lëshimit të raketave drejt territorit izraelit.
Autoriteti i Aeroporteve të Izraelit njoftoi mbylljen e hapësirës ajrore për të gjitha fluturimet civile dhe u bëri thirrje qytetarëve të mos paraqiten në aeroport.
Po ashtu, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Katar ka urdhëruar personelin të qëndrojë në ambiente të mbyllura dhe u ka rekomanduar shtetasve amerikanë të bëjnë të njëjtën gjë deri në një njoftim të dytë. Ministria e Transportit e Irakut njoftoi gjithashtu mbylljen e hapësirës ajrore të vendit.
Sipas një zyrtari izraelit të mbrojtjes, sulmet ishin planifikuar prej muajsh, ndërsa data e nisjes ishte vendosur disa javë më parë, edhe pse ndërkohë vazhdonin negociatat mes SHBA-së dhe Iranit.
Mehran Kamrava, drejtor i njësisë së studimeve iraniane në Qendrën Arabe për Kërkime dhe Politikë dhe profesor në Universitetin Georgetown në Katar, deklaroi se Izraeli “duket se ka nisur një sulm me qëllim pengimin e negociatave”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






