

Gjykata Supreme e Kosovës ka konfirmuar përfundimisht dënimin me burgim të përjetshëm për Dardan Krivaqën, i shpallur fajtor për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, ngjarje e ndodhur më 22 gusht 2021.
Me vendim të shkallës së tretë, trupi gjykues ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për ndryshim të dënimit dhe ka lënë në fuqi vendimet e mëparshme të gjykatave, duke e bërë të formës së prerë dënimin maksimal.
Sipas arsyetimit të Gjykatës, krimi është kryer në rrethana veçanërisht të rënda, ndërsa viktima ka përjetuar dhimbje të forta fizike përpara se të ndërronte jetë.
Pretendimet e mbrojtjes lidhur me gjendjen mendore të të dënuarit janë hedhur poshtë, pasi ekspertizat kanë vërtetuar se ai ishte i ndërgjegjshëm për veprimet e tij në momentin e kryerjes së krimit.
Për këtë ngjarje janë dënuar edhe persona të tjerë të përfshirë, ndërsa vendimi i fundit i Gjykatës Supreme mbyll përfundimisht procesin gjyqësor për njërin prej autorëve.
Sipas aktakuzës, Krivaça, më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e ka detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.
Sipas aktakuzës, një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaça dhe Sejdiu e kanë vrarë të ndjerën në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.
Krivaça e Sejdiu, e kanë dërguar trupin e pajetë të viktimës në spitalin e qytetit, dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur. Ata po ashtu ishin akuzuar për kryerjen e veprës së dhunimit, por u shpallën të pafajshëm për shkak të mungesës së provave.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






