

Një 70-vjeçare nga fshati Darëzezë, në qarkun Fier, i është drejtuar emisionit Fiks Fare, pasi prej vitesh përballet e vetme me kujdesin për dy vëllezërit dhe motrën e saj, të tre me probleme të shëndetit mendor.
Sipas saj, vëllai më i madh është 72 vjeç, ndërsa motra 56 vjeç. Ajo tregon se motra ka vuajtur nga depresioni, i cili me kalimin e kohës është përkeqësuar, ndërsa dy vëllezërit kanë lindur me çrregullime mendore. E moshuara dhe bashkëshorti i saj jetojnë në kushte të vështira, mes frikës dhe pamundësisë për t’i menaxhuar, veçanërisht në rastet kur ka vonesa në sigurimin e medikamenteve.
Mes lotësh, ajo rrëfen se ndërprerja apo vonesa e recetave i bën pacientët agresivë, duke shtuar se në disa raste ka rrezikuar të lëndohet nga sende të mprehta që ata hedhin gjatë krizave. Sipas saj, edhe motra, në mungesë të ilaçeve, shfaq sjellje vetëlënduese.
“Sendet e mprehta i kam fshehur, sepse kur vonohen ilaçet ata kalojnë në krizë. Unë dhe bashkëshorti kujdesemi për ta, por me ndihmën ekonomike që marrin nuk ia dalim dot”, shprehet 70-vjeçarja. Ajo shton se, kur detyrohet të largohet, i mbyll në banesë për shkak të rrezikut që të largohen pa kontroll.
Të tre familjarët janë vlerësuar nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP) Epror me diagnozën “prapambetje mendore e moderuar”, niveli 2, pa rekomandim për ndihmës personal. Secili prej tyre përfiton 10 mijë lekë të reja në muaj. Sipas dokumentacionit zyrtar, ata konsiderohen të aftë për t’u vetëmenaxhuar.
Megjithatë, gjatë komunikimit me gazetarët, vështirësitë e tyre për t’iu përgjigjur pyetjeve bazike kanë ngritur pikëpyetje mbi saktësinë e këtij vlerësimi.
Gazetarët iu drejtuan mjekut të familjes, i cili nuk ndodhej në qendrën shëndetësore në mesditë, ndërsa mbulon edhe dy fshatra të tjera. Më pas, çështja u paraqit pranë KMCAP Epror, ku u sqarua se vendimet bazohen në dokumentacionin e mjekut të familjes dhe të psikiatrit, të cilët nuk kanë raportuar përkeqësim të gjendjes dhe nuk kanë rekomanduar ndihmës personal. Gjithashtu, sipas komisionit, vendimi nuk është ankimuar brenda afatit 20-ditor.
Në vijim, gazetarët iu drejtuan Spitali Rajonal i Fierit, ku psikiatri deklaroi se vendimmarrja për ndihmës personal i takon KMCAP-it, duke e kaluar përgjegjësinë te komisioni.
Në një reagim zyrtar për Fiks Fare, drejtoria e spitalit u shpreh e gatshme për rivlerësimin e rastit përmes një konsulte të re psikiatrike, edhe jashtë qarkut nëse është e nevojshme, duke garantuar transportin dhe shoqërimin e pacientëve. Po ashtu, u bë e ditur se do të angazhohet një mjek tjetër për një opinion të dytë profesional dhe të paanshëm.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






