Transmetuar më 27-02-2026, 19:41

Një 17-vjeçar u ndalua pasditen e së premtes për përfshirjen e tij në ngjarjen e rëndë që çoi në humbjen e jetës së një bashkëmoshatari në Loutraki.

Djali që shikoni në foto është 17 vjeç dhe sipas mediave greke dhe policisë vendase është një shtetas grek. Megjithatë, një portal (Zougla) sugjeron se i mituri është me origjinë nga një vend i ish-Bashkimit Sovjetik.

I riu shihet si përgjegjës për vdekjen e një djali 17 vjeç. Portali Parapolitika raporton se viktima ishte një djalë shqiptar. Ndërsa tch njofton se i ndjeri është emigranti Aleksandër Vangjeli. Në ngjarjen e rëndë që ndodhi natën duke gdhirë dita e sotme, është plagosur dhe një 19 vjeçar grek.

I dyshuari u ndalua nga autoritetet, ndërsa më herët policia kishte shoqëruar disa persona për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Raportohet se i riu është paraqitur në komisariat dhe ka deklaruar se dëshironte të dorëzohej. Emri i tij dyshohet se ishte përmendur më herët nga 19-vjeçari i plagosur, i cili po trajtohet në spitalin e Athinës.

Djali 17 vjeçar shqiptar kishte marrë një goditje me mjet prerës në zonën e kraharorit, ndërsa 19-vjeçari u plagos në pjesën e barkut. Fillimisht ky i fundit kishte deklaruar se ishte përfshirë në një aksident rrugor, por më pas, ka dhënë detaje që ndihmuan hetimin.

Vendi ku ndodhi ngjarja. Foto: Zougla.gr

Mësohet se të rinjtë kishin lënë takim për të zgjidhur një mosmarrëveshje që lidhej me një dëmtim në një motoçikletë. Gjatë debatit situata ka dalë jashtë kontrollit, duke sjellë pasojat tragjike.

Sakaq një detaj shokues ka dalë. 17-vjeçari u kthye në shtëpi i plagosur rëndë nga një thikë që ka marrë në gjoks, por pa i thënë askujt, dhe ra në gjumë. Pak kohë më vonë, vëllai i tij e gjeti të vdekur. Vëllai e çoi në spitalin e Korinthit, ku i mituri u shpall i vdekur.

"Pas plagës me thikë që mori, 17-vjeçari, me origjinë nga Shqipëria, dyshohet se është kthyer në shtëpi pa i njoftuar të afërmit e tij për rrethanat në të cilat u plagos. Ai është shtrirë në dhomën e tij dhe nuk ka thënë asgjë për incidentin. Në agim, vëllai i tij e gjeti pa ndjenja në shtrat dhe e dërgoi me urgjencë në Spitalin e Përgjithshëm të Korinthit, ku u shpall i vdekur", shkruan Parapolitika.gr, citon noa.al.

Mësohet se djali shqiptar i ka dalë në mbrojtje shokut të tij dy vjet më të madh duke pësuar më pas fundin tragjik.

Autoritetet kanë ndaluar gjithashtu edhe nënën e 17-vjeçarit, një 57 vjeçare, për neglizhencë në mbikëqyrjen e të miturit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit