

MILANO – Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Milano, ku një tramvaj ka dalë nga shinat dhe është përplasur me një ndërtesë, duke shkaktuar një viktimë dhe 25 të plagosur.
Sipas raportimeve paraprake, viktimë ka mbetur një burrë, i cili është goditur nga tramvaji në momentin e daljes nga shinat. Të plagosurit janë transportuar në spital për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa autoritetet po hetojnë shkaqet e ngjarjes.
Aksidenti ka ndodhur pak pas orës 16:00 në zonën e Viale Vittorio Veneto, një nga akset kryesore të qytetit. Dëshmitarët okularë kanë përshkruar momente paniku menjëherë pas incidentit.
Një nga pasagjerët, në një prononcim për ANSA, është shprehur: “Mendova se ishte tërmet. Isha ulur dhe rashë në dysheme bashkë me pasagjerët e tjerë. Ishte e tmerrshme. Për fat të mirë, godita vetëm gjurin, por burri pranë meje po i rridhte gjak nga koka. M’u desh pak kohë të ngrihesha dhe të zbrisja.”
Shërbimet e emergjencës ndërhynë menjëherë në vendngjarje, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






