

Itali – Një operacion i zhvilluar nga policia italiane në komunat Corsico, Buccinasco dhe Trezzano sul Naviglio ka çuar në çmontimin e një grupi kriminal të përbërë nga tre shtetas shqiptarë.
Sipas autoriteteve, të arrestuarit, të moshave 37, 38 dhe 40 vjeç, dyshohen për kryerjen e disa vjedhjeve të rënda në zonën e Vicenza në fund të qershorit 2025. Hetimet kanë zbuluar se ata vepronin në bashkëpunim dhe me role të ndara, duke manipuluar sistemet e alarmit për të realizuar grabitjet.
Në një rast, ata kanë vjedhur mallra dhe para të gatshme nga një magazinë, përfshirë shishe vere dhe shampanjë të kushtueshme, pajisje kompjuterike dhe mbi 15 mijë euro, me një dëm total të vlerësuar rreth 25 mijë euro. Gjithashtu, dyshohet se kanë tentuar të grabisin një kompani të specializuar në trajtime galvanike në Isola Vicentina, por janë penguar nga aktivizimi i alarmit.
Sipas hetimeve, tre të dyshuarit udhëtonin kryesisht gjatë natës në veri të Italisë, duke përfshirë rajonet Toscana, Emilia-Romagna dhe Marche. Ata përdornin automjete të mëdha të regjistruara në emër të personave të tretë, si dhe targa të klonuara.
Gjatë kontrolleve, veçanërisht në një garazh në Trezzano sul Naviglio që shërbente si bazë logjistike, autoritetet sekuestruan 53 mijë euro para të gatshme, mbi 2 mijë dollarë, pesë ora luksoze, 11 çeqe udhëtari me vlerë 940 dollarë, bizhuteri të ndryshme, 23.5 kilogramë skrap argjendi, dy targa të klonuara, 63 fishekë të kalibrave të ndryshëm si dhe një pistoletë e kalibrit 9×21, e raportuar e vjedhur në shtator 2024 nga një argjendari në Arezzo.
Tre shtetasit shqiptarë janë arrestuar në flagrancë për armëmbajtje pa leje, posedim të municioneve dhe marrje të mallrave të vjedhura në bashkëpunim. Ata janë transferuar në burgun e Milanos, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit të grupit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






