

Kina është thellësisht e shqetësuar për përshkallëzimin e konfliktit mes Pakistanit e Afganistanit dhe u bën thirrje të dyja palëve të arrijnë një armëpushim sa më shpejt, u shpreh zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Mao Ning.
Duke folur në një konferencë të rregullt shtypi pas shpërthimit të përleshjeve përgjatë kufirit Afganistan-Pakistan të enjten, Mao tha se vendi po i ndjek nga afër zhvillimet e situatës te fqinjët Pakistani dhe Afganistani.
Duke shprehur shqetësim për viktimat e shkaktuara nga konflikti, zëdhënësja e MPJ vuri në dukje se ky raund i luftimeve është më intensiv se më parë dhe se çdo zgjatje ose përshkallëzim do të shkaktojë edhe më shumë dëme e humbje për të dyja palët.
Mao Ning tha se mbështetin luftën kundër terrorizmit në të gjitha format dhe u bëri thirrje të dyja palëve të ruajnë qetësinë e të ushtrojnë përmbajtje, dhe t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre nëpërmjet dialogut e negociatave.
"Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të arrijnë një armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur, për të shmangur shkaktimin e vuajtjeve të mëdha të njerëzve, çka u shërben interesave themelore të të dy vendeve e të popujve të tyre, dhe gjithashtu është e favorshme për ruajtjen e paqes dhe të qëndrueshmërisë rajonale, shtoi ajo.
Mao tha se Kina ka ndërmjetësuar në konfliktin Pakistan-Afganistan nëpërmjet kanaleve të veta dhe është e gatshme të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në uljen e tensioneve dhe përmirësimin e marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






