

Tiranë, 27 shkurt – Nesër pritet të mbahet protesta kombëtare e opozitës në kryeqytet. Policia e Tiranës ka njoftuar se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, në zbatim të ligjit “Për tubimet”, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Sipas njoftimit zyrtar, 1700 punonjës policie do të jenë të angazhuar në terren për të siguruar mbarëvajtjen e tubimit.
Duke nisur nga ora 15:00 e datës 28 shkurt dhe deri në përfundim të protestës, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”. Po ashtu, do të ketë bllokime edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia bën me dije se, në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të vendosen kufizime të përkohshme të qarkullimit edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimesh, autoritetet kanë parashikuar devijimin e trafikut në rrugë alternative.
Policia e Tiranës u bën apel qytetarëve të shmangin lëvizjen me automjete në akset që do të bllokohen, të përdorin rrugë alternative dhe të denoncojnë çdo rast të veprimeve të dhunshme apo paligjshmërive të tjera.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






