

TIRANË, 27 shkurt 2026 | Pas vendimit të Kryeministrit Edi Rama për largimin e saj nga detyra e Ministres së Jashtme, Elisa Spiropali ka reaguar me një mesazh të gjatë publik, duke theksuar se përfundimi i një funksioni nuk nënkupton fundin e angazhimit politik.
“Dje përfundoi një detyrë, por jo një rrugëtim. Në jetën publike funksionet mbyllen me një vendim, ndërsa përgjegjësia vazhdon me ndërgjegjen”, shkruan ajo, duke shtuar se ajo që mbetet në fund nuk është posti, por mënyra se si është ushtruar ai.
Dukshëm e zhgënjyer nga Rama pasi ai sulmoi në janar vetëm Ministrinë e saj dhe dje e shkarkoi, Spiropali, e cila nuk shkoi sot në mbledhjen e fundit të qeverisë si ministre, lëshon dhe një tjetër mesazh shpotitës, kur thotë se dinjitetin personal e ka shumë të rëndësishëm:
"Shqipëria është më e rëndësishme se çdo rol dhe Partia është më e rëndësishme se çdo individ, por dinjiteti personal mbetet themeli mbi të cilin ndërtohet çdo shërbim publik i ndershëm dhe i qëndrueshëm. Në këtë kuptim, për mua përfundimi i një detyre nuk është tërheqje, por vazhdim i angazhimit me të njëjtën bindje dhe të njëjtën përgjegjësi."
“Shërbimi ndaj Shqipërisë, zgjedhje e vetëdijshme”
Spiropali e cilëson detyrën si Ministre e Jashtme jo thjesht një funksion institucional, por vazhdim të një narrative historike që e sheh Shqipërinë pjesë të pandashme të Perëndimit politik. Ajo përmend orientimin perëndimor të vendit, nga periudha e Rilindjes Kombëtare te anëtarësimi në NATO dhe rruga drejt Bashkimi Europian.
“I jam mirënjohëse Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Kryeministrit për besimin e dhënë ndër vite, sepse mirënjohja është kulturë politike dhe jo nënshtrim personal”, thekson ajo.
Politika si kujdestari, jo pronësi
Në reagimin e saj, Spiropali nënvizon se politika nuk është pronësim, por kujdestari e përkohshme, ndërsa institucionet janë më të mëdha se individët. Ajo shprehet se në çdo funksion – si deputete, kryetare Kuvendi dhe ministre – ka zgjedhur të jetë “zë me bindje dhe jo jehonë pa peshë”.
Duke iu referuar figurave historike europiane si Alcide De Gasperi dhe Robert Schuman, Spiropali thekson se modeli i burrështetasit ndërtohet mbi parime dhe jo mbi kalkulime afatshkurtra.
“Përfundimi i një detyre nuk është tërheqje”
Në mbyllje, ajo shprehet se Shqipëria është më e rëndësishme se çdo rol individual dhe se besnikëria e saj mbetet ndaj idealeve të së majtës europiane: drejtësisë sociale, shtetit funksional dhe integrimit të pakthyeshëm në BE.
“Pozicionet janë kalimtare, ndërsa gjurma është zgjedhje e vetëdijshme”, përfundon Spiropali, duke lënë të hapur vijimësinë e angazhimit të saj në jetën politike.
Deklarata e plotë:
Dje përfundoi një detyrë, por jo një rrugëtim. Në jetën publike funksionet mbyllen me një vendim, ndërsa përgjegjësia vazhdon me ndërgjegjen.
Politika është një territor ku koha lëviz shpejt, por kujtesa lëviz ngadalë. Në fund ajo që mbetet nuk është posti që ke mbajtur, por mënyra se si e ke mbajtur atë dhe çfarë peshe i ke dhënë fjalës dhe qëndrimit tënd.
Shërbimi ndaj Shqipërisë për mua ka qenë dhe është i lidhur pazgjidhshmërisht me dashurinë për Shqipërinë, zgjedhje e vetëdijshme dhe jo aksident karriere, një akt besimi se vendi ynë mund dhe duhet të qëndrojë në anën e duhur të historisë, ashtu siç në momentet kyçe të saj Shqipëria ka ditur të zgjedhë orientimin perëndimor, edhe kur kjo zgjedhje ka qenë e vështirë. Nga koha kur rilindasit kërkonin dritë në Europë, te vendimi historik për anëtarësimin në NATO dhe rruga drejt Bashkimit Europian, projekti ynë kombëtar ka qenë gjithmonë projekt për t’u bërë pjesë e qytetërimit politik që ndërtoi shtetin e së drejtës, dinjitetin institucional dhe njerëzor.
Në këtë kuptim, detyra ime si Ministre e Jashtme nuk ishte thjesht funksion, por vazhdim i një narrative historike që e sheh Shqipërinë si pjesë të pandashme të Perëndimit politik.
I jam mirënjohëse Partisë Socialiste dhe Kryeministrit për besimin e dhënë ndër vite, sepse mirënjohja është kulturë politike dhe jo nënshtrim personal.
Ne kemi ndërtuar së bashku një model që e ka zhvendosur Shqipërinë nga psikologjia e tranzicionit drejt normalitetit europian, duke zgjedhur reforma kur ishte më e lehtë të zgjidhej kompromisi me mediokritetin dhe duke zgjedhur përgjegjësinë kur populizmi ofronte duartrokitje të shpejta. Ky model nuk është i përsosur, por është i qartë në orientim dhe i vendosur në qëllim.
Kam besuar dhe vazhdoj të besoj se politika nuk është zotërim apo pronësim, por kujdestari e përkohshme. Institucionet janë më të mëdha se individët, por janë individët ata që u japin atyre frymë, ton dhe karakter. Në çdo funksion që më është besuar, si deputete, kryetare Kuvendi e ministre, kam zgjedhur të jem zë me bindje dhe jo jehonë pa peshë, sepse dinjiteti i shtetit mbrohet jo vetëm me marrëveshje e dokumente, por me qëndrimin që mban kur përfaqëson flamurin tënd përballë të tjerëve. Në Europën politike, nga De Gasperi te Schuman, modeli që mbeti ishte ai i burrështetasit që ndërton mbi parime dhe jo mbi kalkulime afatshkurtra, dhe ky mbetet edhe për mua standardi ideal i shërbimit publik.
Vendimet politike janë pjesë e një vizioni më të gjerë dhe si të tilla respektohen, por historia personale e secilit prej nesh nuk matet me kohëzgjatjen e një mandati, as me fuqinë e përkohshme politike, por me gjurmën që lë në kulturën politike dhe morale të vendit. Në histori, figurat që mbeten nuk janë ato që mbajnë më gjatë pushtetin, por ato që nuk relativizojnë kurrë karakterin, sepse dinjiteti nuk është dekoratë ceremoniale, por qëndrueshmëri përballë kohës dhe aftësi për të mos u frikësuar as nga e kaluara, as nga e ardhmja.
Socialistëve u detyrohem gjithmonë besnikëri ndaj idealeve dhe jo ndaj komoditetit, sepse e majta europiane që kemi synuar të ndërtojmë në Shqipëri nuk është retorikë, por përpjekje për drejtësi sociale, shtet funksional dhe integrim të pakthyeshëm në Bashkimin Europian. Këto janë busulla që nuk ndryshojnë me rrethanat dhe nuk zbehen me rotacionin e detyrave.
Forca e një projekti politik matet nga aftësia për të prodhuar modele që qëndrojnë edhe kur rrethanat ndryshojnë, sepse modelet nuk rrëzohen me dekrete, ato provohen me kohën.
Shqipëria është më e rëndësishme se çdo rol dhe Partia është më e rëndësishme se çdo individ, por dinjiteti personal mbetet themeli mbi të cilin ndërtohet çdo shërbim publik i ndershëm dhe i qëndrueshëm. Në këtë kuptim, për mua përfundimi i një detyre nuk është tërheqje, por vazhdim i angazhimit me të njëjtën bindje dhe të njëjtën përgjegjësi.
Mesazhet tuaja më të shumta në largim, se në marrjen e detyrës, ma përforcojnë detyrimin dhe vendosmërinë për të dhënë më shumë.
Sepse pozicionet janë kalimtare, ndërsa gjurma është zgjedhje e vetëdijshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






