

Gjykata e Shkallës së Parë në Fier ka dhënë dënime të rënda për Laert Hasallën dhe Mariglen Matjanin, të cilët u shpallën fajtorë për tentativë atentati dhe mbajtje të paligjshme të armëve. Të dy do të vuajnë 25 vite burgim secili, për një total prej 50 vitesh burgim të kombinuar.
Ngjarja
Atentati ndodhi më 30 mars 2023, kur ndaj Marius Hasallës u organizua sulmi si pasojë e një hakmarrjeje familjare për vrasjen e Romeo Hasallës, vëllait të Laert Hasallës. Gjatë sulmit, u plagos Bajame Seneja, halla e shënjestrës, pasi ndodheshin në të njëjtin automjet.
Vendimi gjyqësor
Prokuroria ka vërtetuar se Laert Hasalla ka qenë porositësi i atentatit dhe ka bashkëpunuar me Mariglen Matjanin, i cili ka qëlluar mbi automjetin e shënjestrës 11 herë, duke shkaktuar plagosjen e pasagjeres.
Të akuzuarit u gjykuan për veprat penale:
“Vrasja në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë”
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”
Gjykata theksoi rrezikshmërinë e veprimeve dhe ndikimin e tyre në sigurinë publike, duke vendosur masa të rrepta ndaj autorëve.
Prokuroria në Fier nënvizon angazhimin për të vënë para përgjegjësisë ligjore çdo person që kryen vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.
VENDIMI Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u shpallën fajtorë dhe u dënuan me 25 vite burgim, shtetasit Laert Hasalla dhe M.M. për veprat penale ‘Vrasja në rrethana cilësuese’ në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79, gërma ‘ë’, 25 dhe 22 të Kodit Penal dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimit dhe gjykimit mbi procedimin penal nr. 150/2023, me të pandehur shtetasit L. H. dhe M.M. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm, Fier arriti të provojë se i pandehuri L.H., me qëllim për t’u hakmarrë ndaj vrasjes së vëllait të tij R.H., ka bashkëpunuar me të pandehurin M.M., të cilit i ka porositur eleminimin fizik të shtetasit M.H. Në datë 30.03.2023, rreth orës 16.00, në vendin e quajtur “Pisha”, fshati Garunjë, Lushnjë, i pandehuri M.M., pasi është informuar mbi targën e automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi R.H., ka siguruar armën e zjarrit e ka përgatitur vendin nga do shtinte, ka qëlluar njëmbëdhjetë herë në drejtim të këtij mjeti. Si pasojë e sulmit ka mbetur e plagosur shtetasja B.S., pasagjere në vendin e parë të mjetit. Shtetasi M.H., shënjestra e sulmit, ka kuptuar sulmin dhe ka shtuar shpejtësinë duke bërë të mundur largimin e mjetit. Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






