

Dosja “Metamorfoza”, SPAK kërkon 14 vite burg për biznesmenin dhe 9 vite për ish-drejtuesin e policisë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur këtë të enjte pretencën për të pandehurit e dosjes “Metamorfoza”, biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe ish-shefin e policisë Ardit Hasanbegaj, në pjesën e çështjes që është veçuar dhe lidhet me veprat penale më të lehta.
Të dy po gjykohen me procedurë të shkurtuar për akuzat e sigurimit të kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjes, pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtjes pa leje.
Në pretencën e saj, SPAK rikonfirmoi kërkesën e paraqitur edhe në qershor 2025, duke kërkuar dënimin me 14 vite burg për Pëllumb Gjokën dhe 9 vite burg për Ardit Hasanbegajn.
Në rast se shpallen fajtorë, të pandehurit do të përfitojnë nga ulja e një të tretës së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Seanca e radhës është shtyrë për më 9 mars, datë kur pritet të paraqiten konkluzionet përfundimtare të mbrojtjes.
Ndërkohë, Pëllumb Gjoka, së bashku me disa të pandehur të tjerë, po përballet me një proces të veçantë me procedurë të zakonshme në kuadër të së njëjtës dosje, për akuza që lidhen me krime të rënda, përfshirë vrasjen e Gjin Ndojit, i njohur edhe si Boriçi.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






