

Finalizohet ekstradimi nga Dubai i 47-vjeçarit të shumëkërkuar Durim Bami
Policia e Shtetit ka njoftuar finalizimin e ekstradimit nga Dubai drejt Shqipërisë të shtetasit të shumëkërkuar Durim Bami, 47 vjeç, banues në Krujë.
Sipas njoftimit zyrtar, ekstradimi u realizua si rezultat i bashkëpunimit dhe besimit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve homologe në Emiratet e Bashkuara Arabe, i konkretizuar përmes shkëmbimit intensiv të informacionit dhe bashkërendimit të veprimeve operacionale.
Procedura u finalizua mbrëmjen e sotme, në vijim të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
47-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi më 15 maj 2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, i shumëkërkuari u shoqërua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Forca Kombëtare e Sigurisë, Forcat “Shqiponja” dhe nga Policia e Burgjeve.
Emri i Durim Bamit është përmendur në disa hetime që lidhen me ngjarje të rënda kriminale, duke u shfaqur edhe në komunikimet e zbërthyera nga aplikacionet SKY dhe EncroChat, në kuadër të operacionit “Revanshi”. Sipas të dhënave të verifikuara nga Prokuroria e Posaçme, nga bisedat e administruara në dosje rezulton se ai dyshohet të ketë krijuar kushtet për atentate ndaj ish-deputetit Arben Ndoka, si dhe ndaj Hektor Xheçukës dhe Erigers Mihasit.
Nga ana tjetër, edhe vetë Bami ka qenë objektiv i disa grupeve rivale, të cilat, sipas hetimeve, kanë tentuar ta godasin, por pa arritur ta realizojnë fizikisht.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






