

Gjykata e Posaçme e Apelit lë në fuqi vendimin për Lefter Kokën, rrëzohet ankimi i SPAK. Vendimi i Apelit mbyll debatin për rikthimin e ish-ministrit në paraburgim
Tiranë – Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar ankimin e SPAK lidhur me lirimin e Lefter Kokës, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë.
Vendimi u mor nga gjyqtarja Tereza Merkaj, e cila nuk pranoi kërkesën e prokurorit të SPAK, Dritan Prençi, për rikthimin e ish-ministrit të Mjedisit në paraburgim. Me këtë vendim, Lefter Koka do të vijojë të qëndrojë në liri.
Koka u lirua në dhjetor të vitit të kaluar, pasi u konstatua humbja e fuqisë së masës së paraburgimit në lidhje me çështjen e inceneratorit të Fierit.
Sa i përket dënimit për inceneratorin e Elbasanit, ai ka përfituar lirim me kusht nga Gjykata e Durrësit. Ndërsa për çështjen e inceneratorit të Tiranës, dënimi është konsideruar i shlyer përmes kohës së qëndrimit në paraburgim.
Ndërkohë, për çështjen e inceneratorit të Fierit, Gjykata e Lartë ka vendosur kthimin e dosjes për rigjykim në Apelin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






