Transmetuar më 26-02-2026, 19:59

Lamallari: Masa alternative ndaj paraburgimit dhe mbikëqyrje elektronike sipas rekomandimeve të Këshillit të Europës. Ndryshime të rëndësishme në sistemin penal – Qeveria propozon masa alternative dhe rishikim të plotë të Kodit Penal

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka theksuar nevojën për zbatimin e masave alternative ndaj paraburgimit, si mbikëqyrja elektronike, në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Europës, me synim uljen e numrit të të paraburgosurve në Shqipëri.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Lamallari u ndal te problematika e mbipopullimit në sistemin penitenciar dhe njoftoi se i ka kërkuar Shërbimit të Provës të paraqesë një projekt të detajuar, përfshirë edhe kostot financiare, për zbatimin e mbikëqyrjes elektronike.

“Mbikëqyrja elektronike nuk ka ekzistuar në Shqipëri për kaq vite. I kam përcjellë porosi Shërbimit të Provës që të prezantojë një projekt të detajuar edhe nga ana financiare, në mënyrë që të bëhet i mundur zbatimi i rekomandimeve të ekspertëve të Këshillit të Europës për uljen e masave të arrestit me burg dhe arrestit në shtëpi,” deklaroi ministri.

Sipas tij, mbikëqyrja elektronike përbën një element të rëndësishëm për garantimin e garancive procedurale dhe për një qasje më të balancuar në politikën penale, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e masave të arrestit në burg.

Lamallari u ndal edhe te amnistia penale, duke theksuar se nga kjo nismë përfitojnë rreth 15 mijë familje shqiptare. Ai kërkoi mbështetjen e Kuvendit që projektligji të shqyrtohet në komisionet parlamentare dhe të vihet në zbatim sa më shpejt.

“Janë 15 mijë familje shqiptare që përfitojnë prej saj dhe për këtë arsye kërkoj mbështetjen e Kuvendit që nisma të futet në hullitë e komisioneve parlamentare dhe të vihet në zbatim sa më parë,” u shpreh ministri.

Sipas Lamallarit, këto masa janë pjesë e një qasjeje më të gjerë për reformimin e politikës penale në vend. Ai paralajmëroi një rishikim të plotë të Kodit Penal dhe të Kodit të Procedurës Penale, në bashkëpunim me qeveritë e Italisë, Francës dhe Holandës, si dhe me ekspertët e Këshillit të Europës.

“Po bëhet një punë masive për rishikimin e të gjithë kuadrit ligjor penal dhe procedural. Komentet e ekspertëve të Këshillit të Europës kanë evidentuar nevojën për ndryshime të rëndësishme si në Kodin Penal ashtu edhe në Kodin e Procedurës Penale, duke reflektuar një mendësi të re në politikën penale që duhet ta udhëheqë Shqipërinë drejt vitit 2030,” tha ai.

Ministri njoftoi gjithashtu se më 12 shkurt është prezantuar masterplani i godinave të drejtësisë, i cili do të financohet nga buxheti i shtetit dhe konsiderohet si nisma më e madhe infrastrukturore për administratën e gjyqësorit.

Paralelisht, po përgatitet edhe një masterplan për sistemin e burgjeve, ku përveç burgut të grave në zonën e Ali Demit, po shqyrtohet përfshirja edhe e institucioneve 302 dhe 313, me qëllim përmirësimin e kushteve dhe standardeve. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit