Transmetuar më 26-02-2026, 18:58

Peqin, 6 shkurt 2026 – Bashkia Peqin ka vendosur ndalimin e menjëhershëm dhe për një afat të pacaktuar të qarkullimit të mjeteve me tonazh mbi 3.5 ton në Urën e Digës Çengelaj, mbi lumin Shkumbin, një segment që lidh dhjetëra fshatra të zonës së Peqinit dhe Belshit.

Vendimi është marrë me urdhëresën nr. 57, datë 06.02.2026, nga kryetari i Bashkisë, Bukurosh Maçi, duke u mbështetur në legjislacionin për vetëqeverisjen vendore, Kodin e Procedurave Administrative dhe Kodin Rrugor. Masa vjen pas raportit paraprak të Institutit të Ndërtimit, i cili ka rekomanduar ndalimin e mjeteve të rënda për shkak të riskut që paraqet struktura aktuale e urës.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka kërkuar marrjen e masave urgjente, përfshirë vendosjen e kufizuesve fizikë në hyrje-dalje të urës me mbështetjen e Policisë së Peqinit, si dhe monitorimin e vazhdueshëm të zbatimit të vendimit. Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Durrës do të mbikëqyrë situatën dhe çdo veprim që mund të cenojë stabilitetin e objektit.

Ndërkohë, banorët dhe bizneset e zonës po përballen me rritje të kostove të shërbimeve dhe transportit. Autoritetet theksojnë se masa është e përkohshme, ndërsa në plan afatgjatë parashikohet sigurimi i fondeve për ndërtimin e një ure të re dhe hartimi i projektit për rikonstruksionin e plotë të Digës Çengelaj.

Urdhëresa ka hyrë në fuqi menjëherë, me qëllim shmangien e çdo rreziku për qytetarët dhe infrastrukturën.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit