Transmetuar më 26-02-2026, 16:49

Parlamentarët evropianë kërkuan heqjen e imunitetit dhe dhënien para drejtësisë Belinda Ballukun, si dhe kushte të forta për Shqipërinë në procesin e integrimit.

Këtë e pohoi sot kreu demokrat Sali Berisha, pas fjalës së kryeministrit në mbledhjen e grupit parlamentar të PS.

Berisha ka reaguar nëpërmjet një videomesazhi, ku e akuzoi Ramën për sulm ndaj drejtësisë dhe për përpjekje të hapur për të mbrojtur veten, familjen dhe bashkëpunëtorët e tij.

"Në të njëjtën kohë kur ai fliste, në Parlamentin Evropian, parlamentarë të nderuar kishin një seancë debati për Shqipërinë, në të cilën u deklarua se krimi dhe korrupsioni në Shqipëri kanë kapur nivelet më të larta të pushtetit. Dhe nivelet më të larta të pushtetit janë: Edi Rama, Belinda Balluku dhe kukulla e tyre në presidencë: Bajram Begaj.

Në Parlamentin Evropian, në të njëjtën kohë, u kërkua në mënyrë të prerë heqja e imunitetit dhe dhënia para drejtësisë e Lubi Ballukut. U kërkuan kushtëzime të forta për Shqipërinë në procesin e integrimit dhe heqja përfundimisht dorë nga amendamentet dhe ligjet me të cilat Edi Rama do të mbrojë veten, familjen dhe bashkëpunëtorët e tij".

Berisha komentoi dhe mënyrën si Rama sipas tij mbrojti veten nga SPAK.

"Edi Rama, në fjalën e tij, përveçse mbrojti veten në të gjitha mënyrat, duke përdorur administratën, rolin dhe misionin e saj në një shtet, si edhe ndershmërinë dhe dinjitetin e saj, sulmoi në mënyrën më të verbër drejtësinë, institucionin e akuzës dhe gjithçka që vërtitej rreth tij personalisht, i vetëdijshëm se është tashmë në rreth të kuq.

Mashtroi në mënyrën më të paskrupullt. U tha shqiptarëve se ministrat, zëvendëskryeministrat apo kryeministrat në Gjermani japin dorëheqjen si detyrim moral. Por kjo nuk ndodh në vende të tjera; ndodh vetëm në shtetin ligjor të avancuar dhe të konsoliduar të Gjermanisë. Një mashtrim me bisht. Jo larg, por nga viti 2009–2013, në Shqipëri kanë dorëzuar imunitetin, kanë dhënë dorëheqjen zëvendëskryeministra e ministra, si dhe është hequr imuniteti për disa të tjerë. Ky mendon se të tjerët vuajnë nga amnezia. Në ekspozenë e tij, Edi Rama bëri mbrojtjen, avokatinë e AKSHI-t.

Siç e vutë re, i gjithë fjalimi i tij përqendrohej te integriteti i lartë i Mirlindës së AKSHI-t, dhe si provë për këtë integritet paraqiste se ajo banon në një pallat me qira dhe se nuk di t’i japë makinës. Qesharake!

Në fakt, Linda nuk është gjë tjetër veçse prestanome e Lindës tjetër, e gjysmës më të mirë të Edi Ramës.

Edi Rama e ka shumë të qartë se kopshti privat kishte një kopshtar, dhe ky është ai vetë. E ka shumë të qartë se në dosjet e prokurorisë, kopshtarja private e këtij kopshti është Linda Rama.

Ndaj, ai i shfazuar u përpoq të përdorte çdo lloj argumenti absurd për të akuzuar prokurorinë për veprimet që ka ndërmarrë.

Për Edi Ramën, antikorrupsioni, kur cenohet ai dhe rrethi i tij, është më i rrezikshëm se vetë korrupsioni. Për të, për shkak të integrimit europian, lufta kundër korrupsionit është një herezi, por jo kusht vendimtar për këtë proces. Për të, reforma në drejtësi duhet të pësojë ndryshime të thella e të shumëanshme, në mënyrë që t’i përshtatet kontrollit të tij mbi këtë reformë". /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit