Transmetuar më 26-02-2026, 16:29

Kinë–Gjermani forcojnë partneritetin strategjik, marrëveshje të reja dhe optimizëm për bashkëpunimin ekonomik

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning tha të enjten se vizita e kancelarit gjerman Friedrich Merz ishte e frytshme dhe kuptimplote, duke ritheksuar angazhimin e të dy vendeve për të ruajtur marrëdhënie dypalëshe të qëndrueshme e konstruktive, për të thelluar më tej bashkëpunimin me përfitim të përbashkët dhe për t’i trajtuar siç duhet dallimet nëpërmjet dialogut të sinqertë, të hapur dhe me respekt të ndërsjellë.

Mao Ning i bëri këto komente në një konferencë të rregullt shtypi, në përgjigje të një pyetjeje lidhur me këtë vizitë.

Ajo vuri në dukje që kjo është vizita e parë e Merz-it në vend që nga marrja e detyrës, si dhe vizita e parë nga një udhëheqës i huaj gjatë Vitit të Ri Kinez të Kalit.

Zëdhënësja tha se udhëheqësit e të dy vendeve besojnë se duhet të forcojnë komunikimin strategjik, të çojnë përpara besimin e ndërsjellë strategjik, të ruajnë bashkëpunimin e hapur, të mbështesin multilateralizmin e tregtinë e lirë, të mbrojnë statusin e Kombeve të Bashkuara, t’u përmbahen qëllimeve e parimeve të Kartës së OKB-së dhe të thellojnë vazhdimisht partneritetin e tyre të gjithanshëm strategjik.

Ajo tha se të dyja palët ranë dakord gjithashtu të vazhdojnë të shfrytëzojnë rolin e mekanizmave të dialogut institucional, siç është mekanizmi i konsultimit ndërqeveritar të dy shteteve.

Të dyja palët shprehën gatishmërinë për t’u angazhuar në shkëmbime dhe për të rritur mirëkuptimin në mënyrë të sinqertë, miqësore e të hapur, si edhe të mbeten të përkushtuara për t’i zgjidhur siç duhet shqetësimet e njëra-tjetrës me anë të dialogut, për të siguruar zhvillimin afatgjatë, të ekuilibruar, të besueshëm e të qëndrueshëm të lidhjeve ekonomike dhe tregtare dypalëshe.

Duke theksuar se bashkëpunimi pragmatik është tipari më i spikatur i marrëdhënieve mes dy vendeve, zyrtarja e MPJ tha se 30 drejtues nga ndërmarrje të ndryshme kryesore gjermane e shoqëruan Merz-in në vizitën e tij, duke demonstruar plotësisht shpresën dhe besimin e Gjermanisë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit praktik.

Gjatë vizitës, kryeministri Li Qiang dhe kancelari gjerman Friedrich Merz dëshmuan së bashku në nënshkrimin e dokumenteve të bashkëpunimit në fusha të tilla si tranzicioni i gjelbër, doganat, sportet dhe media. Ata gjithashtu ishin të pranishëm në një simpozium të komitetit këshillimor ekonomik Kinë-Gjermani, ku morën pjesë mbi 60 sipërmarrës gjermanë, vuri në dukje zëdhënësja. Ajo shtoi se ndërmarrjet gjermane kanë shprehur optimizëm në lidhje me perspektivat e zhvillimit ekonomik dhe gatishmërinë e tyre për të zgjeruar më tej investimet dhe për të ndarë mundësitë e krijuara prej modernizimit të vendit.

Zëdhënësja e MPJ tha gjithashtu se vendi është i gatshëm ta shfrytëzojë këtë vizitë si një mundësi për të bashkëpunuar me palën gjermane për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes palëve dhe për të sjellë qëndrueshmëri dhe energji pozitive në botën plot ndryshime dhe trazira.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit