

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha përmes një videomesazh ka reaguar në rrjetet sociale ndaj deklaratave të kësaj të enjte të kryeministrit, Edi Rama. Berisha gjatë fjalës së tij theksoi se Rama bëri avokatinë për AKSHI-n dhe se sipas tij përdori çdo lloj argumenti duke i cilësuar absurde.
Sipas tij, Rama mbrojtji veten duke mbrojtjur administratën dhe se ai sulmoi drejtësinë. Ai shtoi se Rama është në rrethin e kuq dhe se mashtroi gjatë fjalës së tij.
“Rama në ekspozenë e tij bëri avokatinë e AKSHI-t. Fjalimi i tij përqendrohej tek integriteti i lartë i Mirlindës së AKSHI-t, paraqiste atë se banon në një pallat me qira e s’di t’i japë makinës. Qesharake në fakt Linda e AKSHI-t, është prestanoma e gjysmës më të mirë të Edi Ramës Edi Rama e ka shumë të qartë se kopshti privat kishte një kopshtar dhe ky është Edi Rama.
E ka shumë të qartë se në dosjet e prokurorisë kopshtarja private është Linda Rama, ndaj edhe ai sfazuar u përpoq të përdorë çdo lloj argumenti absurd për të akuzuar prokurorinë për veprimet që ka ndërmarrë. Për Edi Ramën, antikorrupsioni nuk cenohet ai dhe rrethi i tij është më i rrezikshëm se vetë korrupsioni”, tha ndër të tjera ai.
Deklarata e plotë:
Edi Rama, në fjalën e tij, përveçse mbrojti veten në të gjitha mënyrat, duke përdorur administratën, rolin dhe misionin e saj në një shtet, si edhe ndershmërinë dhe dinjitetin e saj, sulmoi në mënyrën më të verbër drejtësinë, institucionin e akuzës dhe gjithçka që vërtitej rreth tij personalisht, i vetëdijshëm se është tashmë në rreth të kuq.
Mashtroi në mënyrën më të paskrupullt. U tha shqiptarëve se ministrat, zëvendëskryeministrat apo kryeministrat në Gjermani japin dorëheqjen si detyrim moral. Por kjo nuk ndodh në vende të tjera; ndodh vetëm në shtetin ligjor të avancuar dhe të konsoliduar të Gjermanisë. Një mashtrim me bisht. Jo larg, por nga viti 2009–2013, në Shqipëri kanë dorëzuar imunitetin, kanë dhënë dorëheqjen zëvendëskryeministra e ministra, si dhe është hequr imuniteti për disa të tjerë. Ky mendon se të tjerët vuajnë nga amnezia. Në ekspozenë e tij, Edi Rama bëri mbrojtjen, avokatinë e AKSHI-t.
Siç e vutë re, i gjithë fjalimi i tij përqendrohej te integriteti i lartë i Mirlindës së AKSHI-t, dhe si provë për këtë integritet paraqiste faktin se ajo banon në një pallat me qira dhe se nuk di t’i japë makinës. Qesharake!
Në fakt, Linda nuk është gjë tjetër veçse prestanome e Lindës tjetër, e gjysmës më të mirë të Edi Ramës.
Edi Rama e ka shumë të qartë se kopshti privat kishte një kopshtar, dhe ky është ai vetë. E ka shumë të qartë se në dosjet e prokurorisë, kopshtarja private e këtij kopshti është Linda Rama.
Ndaj, ai i shfazuar u përpoq të përdorte çdo lloj argumenti absurd për të akuzuar prokurorinë për veprimet që ka ndërmarrë.
Për Edi Ramën, antikorrupsioni, kur cenohet ai dhe rrethi i tij, është më i rrezikshëm se vetë korrupsioni. Për të, për shkak të integrimit europian, lufta kundër korrupsionit është një herezi, por jo kusht vendimtar për këtë proces. Për të, reforma në drejtësi duhet të pësojë ndryshime të thella e të shumëanshme, në mënyrë që t’i përshtatet kontrollit të tij mbi këtë reformë.
Të dashur miq, sot, në të njëjtën kohë kur ai fliste, në Parlamentin Europian, parlamentarë të nderuar kishin një seancë debati për Shqipërinë, në të cilën u deklarua se krimi dhe korrupsioni në Shqipëri kanë kapur nivelet më të larta të pushtetit. Dhe për secilin prej jush është e qartë se nivelet më të larta të pushtetit janë: Edi Rama, Belinda Balluku dhe kukulla e tyre në presidencë: Bajram Begaj.
Në Parlamentin Europian, në të njëjtën kohë, u kërkua në mënyrë të prerë heqja e imunitetit dhe dhënia para drejtësisë e Lubi Ballukut. U kërkuan kushtëzime të forta për Shqipërinë në procesin e integrimit dhe heqja përfundimisht dorë nga amendamentet dhe ligjet me të cilat Edi Rama do të mbrojë veten, familjen dhe bashkëpunëtorët e tij.
Pra, ky kryetar i organizatës kriminale sot vendosi veten në pallatin presidencial, në bankën e akuzës, dhe mëkatarët e tij, 83 mandatet e krimit, i kishte vendosur rreth tij teksa fliste, teksa mbante mbrojtjen ndaj vetes, familjes dhe njerëzve të tij më të afërt nga drejtësia.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, ka vetëm një zgjidhje. Zgjidhja jeni ju. Është guximi juaj. Është vendosmëria juaj. Është trimëria juaj në një mision historik për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo organizatë kriminale që po e rrënon çdo ditë e më shumë.
E shtuna, në orën 18:00, është dita juaj; është dita e qytetarëve të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, dita e goditjes më të rëndë të narkoregjimit dhe kreut të tij, Edi Rama.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






