Transmetuar më 26-02-2026, 15:49

Gjatë mbledhjes së Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamenti Europian, eurodeputeti gjerman Michael Gahler deklaroi se zhvillimet e fundit në Shqipëri, veçanërisht rasti i Belinda Ballukut, ngrenë pikëpyetje serioze mbi zbatimin e shtetit të së drejtës dhe mund të ndikojnë në procesin e integrimit europian të vendit.

Gahler theksoi se vizita e delegacionit në Shqipëri ofroi një panoramë të qartë mbi situatën në terren, duke nënvizuar se progresi në negociatat me BE-në duhet të matet me rezultate konkrete dhe jo me deklarata politike.

Sipas tij, shqetësimet e ngritura nga organizatat e shoqërisë civile flasin për ekzistencën e strukturave të rrënjosura korruptive dhe lidhjeve me krimin e organizuar, të cilat – sipas informacioneve të paraqitura – shtrihen deri në nivelet më të larta të pushtetit.

Eurodeputeti solli si shembull rastin e Ballukut, duke theksuar se, megjithëse Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë u shpreh se SPAK kishte të drejtë të vepronte, mazhoranca parlamentare refuzoi heqjen e imunitetit.

“Kjo tregon qartë qëndrimin kur bëhet fjalë për përballjen me pretendime serioze dhe hetime në këtë fushë. Duhet të insistojmë që parimi i shtetit të së drejtës të zbatohet pa përjashtim për të gjithë, përpara çdo hapi drejt anëtarësimit”, u shpreh Gahler.

Ai shtoi se Bashkimi Europian nuk mund të pranojë në strukturat e tij vende ku mekanizmat problematikë vijojnë të funksionojnë pa u çmontuar, duke theksuar se zbatimi real i reformave mbetet testi kryesor për ecurinë e negociatave.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit