Transmetuar më 26-02-2026, 13:07

Operacioni “Memory” në Shkodër, bie në pranga i riu i dënuar për ngjarjen e armatosur në bankë

Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Memory”, duke arrestuar një 22-vjeçar të dënuar me 10 vite burgim për grabitjen e BKT në Koplik.

Sipas njoftimit zyrtar, i riu Admir Shabaj, 22 vjeç, banues në fshatin Aliaj, Malësi e Madhe, u kap si rezultat i kontrolleve intensive të kryera nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale”, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative.

Ngjarja për të cilën ai ishte dënuar daton në vitin 2022, kur ai ishte 18 vjeç dhe së bashku me dy bashkëpunëtorë të tjerë, dyshohet se kanë hyrë të armatosur dhe të maskuar në BKT në Koplik, duke marrë një shumë të konsiderueshme parash.

Gjykata e Shkodrës e ka dënuar 22-vjeçarin me 10 vite burgim për veprat penale “Vjedhja e bankave dhe e arkave të kursimit” dhe “Vjedhja me armë”, të kryera në bashkëpunim, si dhe për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme ligjore.

Çfarë ndodhi në vitin 2022

Nga grabitja me armë në bankë te zbulimi i plantacioneve, si u shtri operacioni që çoi në 9 arrestime

Grabitja e bankës së nivelit të dytë në Koplik, e ndodhur mesditën e 9 majit 2022, ku autorët, tashmë të arrestuar, dyshohet se morën rreth 15 mijë euro nën kërcënimin e armëve.

Sipas pamjeve filmike, autorët – Bekim Gurraj, Armir Shabaj dhe Admir Shabaj – shihen teksa ndalojnë automjetin tip “Golf 3” përpara bankës dhe i drejtohen menjëherë punonjësit të sigurisë. Të maskuar dhe me veshje sportive për të shmangur identifikimin, ata futen brenda ambienteve të bankës duke tërhequr me forcë edhe rojen e sigurisë.

Brenda bankës, nën kërcënimin e një kallashnikovi, njëri prej tyre shtrin në tokë rojen dhe një klient, ndërsa dy të tjerët marrin paratë nga arka. E gjithë ngjarja zgjati vetëm pak minuta. Pas marrjes së shumës, autorët u larguan me të njëjtin automjet, për t’u arrestuar rreth një muaj më vonë.

Nga hetimet është dokumentuar se për realizimin e grabitjes janë përdorur dy armë zjarri dhe një automjet pa targa, i cili pas ngjarjes është braktisur dhe djegur pranë “Rrethrrotullimit të Bajzës” në Koplik. Më pas, nën kërcënim, autorët dyshohet se kanë marrë një tjetër automjet për t’u larguar drejt zonës së Sheganit, ku edhe atë e kanë braktisur.

Në vijim të operacionit, policia gjeti dhe sekuestroi një nga armët e përdorura, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e Bekim Gurrajt u sekuestruan pajisje dhe uniforma policie, si dhe radio-marrëse, të cilat dyshohet se janë përdorur për të monitoruar lëvizjet para grabitjes.

Hetimet u zgjeruan më tej, duke çuar në zbulimin e lëndëve narkotike. Në banesën e një të afërmi të autorëve, Albin Shabaj, u gjetën dhe sekuestruan 9 kilogramë kanabis. Në pranga përfunduan Albin Shabaj, Altin Shabaj dhe babai i tyre, Ermir Shabaj.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e Ramiz Nikdudajt, policia zbuloi 22 kilogramë kanabis, 455 bimë të kultivuara në ambiente të mbyllura me llamba, si dhe 245 bimë të tjera të mbjella në oborrin e banesës. Edhe ky shtetas u arrestua.

Në total, në kuadër të operacionit të koduar “Syri i Sheganit”, numri i të arrestuarve ka shkuar në 9 persona, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal dhe lidhjeve të mundshme mes të përfshirëve./noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit