Transmetuar më 26-02-2026, 11:15

Ka nisur takimi i zgjeruar i Grupit Parlamentar të Partia Socialiste e Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama, në fjalën hapëse, theksoi se këtë herë do të jetë qeveria ajo që do të raportojë përpara grupit parlamentar mbi tema të posaçme, të cilat do të trajtohen nga ministrat përkatës.

Rama u ndal te situata që, sipas tij, është komplekse, jo vetëm për mazhorancën, por për vendin në tërësi. Ai përmendi zhvillimet që lidhen me ecurinë e reformës në drejtësi, procesin e integrimit europian dhe rritjen ekonomike, duke theksuar se Shqipëria ndodhet në një “udhëkryq të ri”.

“Besoj se duhet të shohim bashkë se jemi në një udhëkryq të ri. Ndërkohë që ekonomia vijon të ecë me ritmet e parashikuara dhe projektet janë në zhvillim, në hartim apo në plan për këtë mandat, situata paraqet disa rreziqe që kërkojnë adresim të vendosur dhe disiplinë nga ana jonë, si deputetë dhe ministra,” u shpreh ai.

Kryeministri paralajmëroi se, nëse nuk merren masat e duhura, vendi rrezikon të mbetet në vendnumëro, duke humbur mundësi të rëndësishme për përparim. Ai theksoi se Shqipëria ka shënuar arritje të rëndësishme ndërkombëtare dhe ka avancuar në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, por kërkohet përqendrim dhe përgjegjësi për të mos humbur momentin.

Në përfundim, Rama theksoi se koha aktuale është vendimtare për të garantuar vijimësinë e reformave dhe për të përshpejtuar rrugën europiane të vendit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit